Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DHSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 57-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar mbanë kodin W02951 në këtë proces gjyqësor dhe dëshmia e tij është duke u dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun.
Vlen të theksohet se në sallën e gjyqit, të pranishëm janë fizikisht të gjithë të akuzuarit, përveç Jakup Krasniqit, i cili është përmes videolidhjes.
Dëshmia e këtij dëshmitari ishte planifikuar të nis ditën e djeshme, pasi përfundoi dëshminë i 56-ti, por sipas trupit gjykues, ky dëshmitar nuk ishte gati, kështu që pjesa e fundit e seancës së djeshme u pezullua.
Dëshmitari i 56-të thuhet se ka folur për një person, të cilin e ka arrestuar UÇK-ja dhe më pas ka dëgjuar që është keqtrajtuar. Sipas përmbledhjes së ZPS-së, ky person nuk është gjetur kurrë.
Përveç këtij dëshmitari, dëshminë dje e ka mbaruar Ramiz Qeriqi, i cili gjatë kohës së luftës ka qenë komandant në batalionin e dytë të Brigadës 121 në Zonën e Pashtrikut. Ai ka folur për kontaktet që kishte pasur me të akuzuarit, pozitat e tyre dhe funksionimin e UÇK-së. Megjithatë, mbrojtja e Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq, i ka thënë atij se është i dyshuar në këtë proces gjyqësor.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi