TV LIVE
Nga Rajoni
22 April 2024
Mbyllen dyert në Hagë, flet dëshmitari i 54 për rastin Thaçi dhe ish-drejtuesit e tjerë të UÇK

Në Dhomat e Specializuar të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë dëshmitari i 54 i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ky dëshmitar mban kodin W4739 në këtë rast gjyqësor, ndërsa dëshmia e tij është duke u dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun. Sipas kryetarit të trupit gjykues, arsyeja e mbylljes së seancës ndërlidhet me mbrojtjen e dëshmitarit, raporton “Betimi për Drejtësi”. përpara fillimit të seancës, trupi gjykues, pranoi në prova materiale disa deklarata të dëshmitarëve përmes audio-incizimeve. Sipas tij, pasi është konstatuar se deklaratat janë të pranueshme, ata i kanë pranuar në prova materiale dhe kanë kërkuar nga Zyra Administrative që të iu caktojë audio-incizimeve numrin përkatës.

Po ashtu, Zyra Administrative u urdhëruar që t’i riklasifikojë disa prova materiale nga konfidenciale në publike. Sipas kryetarit të trupit gjykues, ndryshe nga herët e tjera, këtë herë në seancë gjyqësore janë të pranishëm fizikisht të gjithë të akuzuarit. Dëshmia e dëshmitarit të 54-të filloi me 2 prill për të vazhduar me 3 dhe sot me 22 prill. Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor. Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.



Të ndryshme
Më shumë