TV LIVE
Nga Bota
22 April 2024
Jep dorëheqje shefi i inteligjencës së ushtrisë izraelite

Shefi i inteligjencës së ushtrisë së Izraelit, Aharon Haliva, ka dhënë dorëheqje të hënën, për shkak të dështimit për ta parandaluar sulmit e 7 tetorit nga Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – njoftoi ushtria izraelite.

Ai është figura e parë e lartë që jep dorëheqje prej se Izraeli u përballë me sulmin më vdekjeprurës në historinë e vet.

Dorëheqja e gjeneralmajor Halivës mund ta hapë rrugën për dorëheqje të tjera në mesin e shefave të lartë të sigurisë në Izrael në lidhje me sulmin e Hamasit, kur militantët e këtij grupi i thyen muret mbrojtëse të Izraelit dhe të pasfiduar për orë të tëra kaluan nëpër komunitete izraelite duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, derisa i rrëmbyen edhe 250 të tjerë për t’i dërguar brenda Gazës.

Ai sulm e ndezi luftën kundër Hamasit në Gazë, e cila është në muajin e shtatë tani.

“Drejtoria e inteligjencës nën udhëheqjen time nuk i përmbushi detyrat që na u besuan. Ajo ditë e zezë nuk m’u hiqet nga mendja, as ditën e as natën. Gjithmonë do të vuaj nga kjo dhimbje e tmerrshme e luftës”, shkroi Haliva në letrën e dorëheqjes.

Haliva, si dhe liderë të tjerë ushtarakë dhe të sigurisë, pritej se do të jepnin dorëheqje si përgjigje për dështimet e mëdha për ta parandaluar sulmin e 7 tetorit.

Megjithatë, se kur do të jepnin ata dorëheqje ka qenë e paqartë, për shkak se Izraeli është ende duke luftuar kundër Hamasit në Gazë dhe kundër grupit militant libanez Hezbollah në kufirin verior.

Tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë gjithashtu të larta, pas sulmeve të ndërsjella. Disa ekspertë ushtarakë kanë thënë se dorëheqja në një kohë kur Izraeli është i angazhuar në shumë fronte është papërgjegjësi dhe mund të cilësohet si shenjë dobësie.

Pak pas sulmit, Haliva kishte thënë publikisht se e bart barrën e përgjegjësisë për dështimin e parandalimit të sulmit si shef i departamentit ushtarak, përgjegjësia e të cilit është t’i japë Qeverisë dhe ushtrisë informata paralajmëruese dhe paralajmërime ditore.

Si pasojë e luftës së Izraelit të nxitur nga ai sulm, më shumë se 34.000 palestinezë janë vrarë në Gazë, sipas Ministrisë lokale të Shëndetësisë. Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se dy e treta e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

Luftimet kanë detyruar mbi 80 për qind të popullsisë së Gazës të zhvendoset dhe qindra mijëra janë buzë urisë absolute, kanë thënë Kombet e Bashkuara dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës./Radio Evropa e Lirë



Të ndryshme
Më shumë