TV LIVE
Kuriozitete
19 April 2024
Atentatet, tenisi dhe 250 cigare në ditë: 50 fakte nga jeta e Ahmet Zogut

Më 9 prill 1961, në spitalin Foch, Sorensen, Paris, Francë, vdiq mbreti Zog, 65 vjeç – pas shumë vitesh vuajtje nga sëmundja, pa e parë vendin e tij që prej ikjes më 8 prill 1939. Shtypi në Shqipëri heshti plotësisht. Zogu ishte shtruar në spital më 4 prill, thuajse pa ndjenja nga dhimbjet e forta në stomak. Ai ishte dobësuar jashtëzakonisht. Kur u përmend, pa pranë mbretëreshën Geraldinë dhe princ Lekën. Zogu i kërkoi Geradinës t’i sillte një revole sepse nëse mjekët do t’i thoshin se kishte kancer, ai nuk donte të jetonte më dhe do të vriste veten. E shoqja e kundërshtoi, më kot; pastaj solli armën (pa fishekë) dhe ia la pranë, por mbreti nuk kishte fuqi as për të zgjatur dorën.

Zogu kishte qenë monark absolut, i fortë, efikas dhe, i pamëshirshëm në rast nevoje.

“Është kollaj të jesh mbret i 400 milionë skllevërve e robërve, por është tepër e vështirë të jesh mbret i një milion mbretërve, siç jam unë”, ka thënë Zogu në një rast.

Historiani amerikan Raymond Hutchison do ta quante Zogun “personazhin shqiptar më të fuqishëm të shekullit XX ose gjatë shumë shekujve që nga vdekja e Skënderbeut të madh më 17 janar 1468”.

Leksografi i njohur Stuart Edward Mann, hartues i fjalorit historik Albanian-English, shkruante në paraqitjen e gramatikës së tij shqipe (1932), se “ardhja e Zogut në krye të vendit si president dhe pastaj si mbret, ishte një fillim i mbarë”.

Mbreti krijoi administratën dhe makinerinë e një shteti modern shqiptar; gjatë presidencës së tij, kodi i vjetruar penal Osman u zëvendësua me Kodin e Napoelonit; vendi përparoi në çdo fushë të rëndësishme; ai zhduku banditërinë e trashëguar; përkujdesje i kushtoi arsimit publik; qindra të rinj u dërguan me bursa jashtë shtetit në universitete evropiane (ironikisht mes tyre ishte edhe Enver Hoxha), dhe kur diplomoheshin, ata ktheheshin në atdhe ku Zogu i vendoste në poste administrative.

Gjithashtu, gjatë mbretërimit të tij, mbreti Zog u rezistoi përpjekjeve nga Italia për vendosjen e fashizmit në Shqipëri, derisa Musolini u detyrua ta pushtonte, si dhe mbajti marrëdhënie të mira me vendet fqinje.

Me rastin e 57-vjetorit të vdekjes sjellim 50 fakte nga jeta e një nga njerëzve më të rëndësishëm të shekullit XX. Ai kishte pasion tenisin, pinte 250 cigare në ditë, flinte shumë pak, ishte paranojak ndaj atentateve. Dashuritë e tij dhe detaji i veçantë me këmishën e virgjërisë të mbretëreshës Geraldina.

Njihuni me jetën e jashtëzakonshme të mbretit të shqiptarëve:

1. Ahmet Zogu jetoi 65 vite, 5 muaj e 29 ditë. Lindi në 8 tetor 1895 në fshatin Burgajet të Matit dhe vdiq më 9 prill 1961 në spitalin Fosch, pranë Parisit.

2. Ahmet Zogu ka qenë mbret i Shqipërisë për 10 vjet 7 muaj e 6 ditë. Ai u kurorëzua Mbreti i Shqipërisë më 1 shtator të vitit 1928. Monarkia i tij mori fund kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste më 7 prill 1939.

3. Ahmet Zogu qëndroi për 11 vjet në fronin e mbretit të Shqipërisë, për 3 vjet në detyrën e presidentit, për 2 vjet në detyrën e kryeministrit dhe për 10 muaj në detyrën e ministrit të Brendshëm.

4. Ahmet Zogu ishte djali i Xhemal Zogut, kryetar i një fisi të Matit dhe i Sadije Toptanit, një nga pinjollet e familjes së njohur Toptane nga Tirana. Xhemal Zogu vdiq në moshën 41-vjeçare në rrethana të panjohura. Ndërsa Sadije Toptani vdiq më 24 nëntor 1934.

5. Ahmet Zogu ishte një nga dy djemtë e familjes dhe kishte edhe pesë motra, Adilen, Nafien, Semien, Mexhiden dhe Ruhijen. Ndërsa vëllai i tij, Xhelal, ishte nga martesa e parë e të atit. Princi Xhelal vdiq në Stamboll në vitin 1944 dhe la pesë fëmijë.

6. Mbiemri i vërtetë i familjes mbretërore është Zogolli. Nuk ka një datë të saktë se kur është bërë ndërrimi i mbiemrit, por mendohet se mund të jetë viti 1927. Mbiemri Zogu i përshtatej më shumë një aristokrati sesa mbiemri i mëparshëm Zogolli.

7. Ahmet Zogu mësimet e para i mori në Liceun Perandorak Francez të Gallatasarajit në Turqi. Më pas vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake Perandorake në Vjenë. Studimet i ndërpret në vitin 1912 dhe kthehet në Shqipëri.

8. Ahmet Zogu ka qenë pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, si delegat i Matit. Ai në atë kohë ai ishte 17 vjeç dhe cilësohet si aksioni i parë politik i tij

9. Ahmet Zogu ishte 25 vjeç kur mori detyrën e ministrit të Brendshëm; 30 vjeç, kur u bë President i Republikës; dhe 33 vjeç kur vuri në kohë skeptrin e mbretit të shqiptarëve. Në 65 vite të jetës së tij Zogu i provoi të gjitha, që nga dëbimi prej Shqipërisë, rikthimin për të arritur majat e pushtetit dhe ekzili për të mos u kthyer më kurrë.

10. Gjatë mbretërimit të Ahmet Zogut në 11 vite u krijuan tetë kabinete qeveritare. Më kryesorët janë ata me kryeministra Kostaq Kota, Pandeli Evengjeli, Mehdi Frashëri.

Frika nga atentatet dhe pasionet për jetën

11. Pallati i Zogut ruhej nga 500 këmbësorë dhe tridhjetë kalorësiakë. “S’kam asgjë kundër vdekjes në betejë”, thoshte ai. “Por nuk kam në plan të lejoj të më qëllojnë në mes të rrugës si qen”. Betejat e tij me bejlerët rivalë, kosovarët, radikalët që mbështesnin Nolin dhe rebelët dukagjinas e kishin shtënë në gjak me një sërë familjesh. Të fyerit i dërgonin herë pas herë një zarf me plumb brenda, që ishte premtim se plumbin tjetër do e merrte në zverk. Një vizitor britanik guxoi njëherë të sugjeronte se kreu i shtetit duhej të përjashtohej nga ligjet e gjakmarrjes. Një këshilltar i Zogut iu përgjigj: “Mbreti jonë shkëlqesi është një prej nesh, jo si mbreti juaj”.

12. “Njerëzit e Tiranës mund ta shihnin mbretin e tyre duke bërë përshëndetjen në paradat ushtarake në ditët e festa kombëtare. Kur Zogu mori pjesë në një pritje të inaugurimit të ndërtesës së re të Legatës së SHBA-së në vitin 1930, diplomatët e panë të çuditur teksa ai rrëshqiti nga makina, rendi në ndërtesë, dëgjoi fjalimin dhe u zhduk po aq shpejt sërish. Hapja e parlamentit ishte njësoj e nxituar në ato raste të veçanta kur ai mbante fjalimin e mbretit, personalisht. “Të huaj këtu shijojnë herë pas here çaste talljeje me të”, ankohej Rose Wilder Lane, shkrimtarja amerikane që jetonte në Tiranë dhe që u bë mikja dhe ndoshta edhe e dashura e tij”, shkruante studiuesi Jason Tomes në librin e tij “King Zog: self-made monarch of Albania”.



Të ndryshme
Më shumë