TV LIVE
Nga Bota
17 April 2024
Vërshime në Dubai, një viktimë nga shiu më i madh në Emiratet e Bashkuara në 75 vjet

Emiratet e Bashkuara Arabe janë goditur nga reshjet e dendura të shiut, që kanë shkaktuar vërshime në autostrada të rëndësishme dhe kanë penguar fluturime në aeroportin ndërkombëtar të Dubait. Autoritetet thonë se ky ishte shiu më i madh në 75 vitet e fundit.

Të paktën një person e humbi jetën, pasi një burrë 70 vjeç u kaplua nga uji në veturën e tij në Ras Al-Khaimah, njëri nga shtatë emiratet e vendit, sipas policisë, raporton gazeta “The Guardian”.

Reshjet filluan të hënën në mbrëmje dhe deri të martën në mbrëmje, ranë mbi 142 milimetra shi në qytetin shkretinor të Dubait – sasi që zakonisht atje bie për një vit e gjysmë.

Në aeroportin ndërkombëtar të Dubait mesatarisht në vit bien 94,7 milimetra shi. Ky aeroport është qendra më e ngarkuar për udhëtime ndërkombëtare.

Disa shtëpi u vërshuan dhe disa automjete u braktisën në rrugë në Dubai, përderisa autoritetet dërguan cisterna për ta larguar ujin me pompa. Shumë rrugëve u mungon sistemi i kanalizimit për shkak të mungesës së reshjeve të rregullta.

Qendrat e njohura tregtare, “Dubai Mall” dhe “Mall of the Emirates”, pësuan vërshime, ndërsa edhe në të paktën njërin prej stacioneve të metrosë në Dubai, sipas pamjeve të publikuara në rrjete sociale.

Qendra Kombëtare e Meteorologjisë, përmes një shkrimi në rrjetin X, u bëri thirrje banorëve që t’i ndërmarrin të gjitha masat paraprake dhe të qëndrojnë larg zonave të vërshimeve dhe grumbullimit të ujit.

Zyra për media e qeverisë së vendit tha se këto reshje janë ngjarje klimatike “e jashtëzakonshme”. Pritet që në vend të ketë reshje të mëtejme.

Më herët, shiu shkaktoi vërshime edhe në Bahrein, ndërsa 18 persona vdiqën në Oman të dielën dhe të hënën, sipas agjencisë franceze të lajmeve, AFP.



Të ndryshme
Më shumë