Boralda Petromilo Papajani është mësuese e gjuhës shqipe në dy shkolla në Athinë. Ajo bashkë me koleget e saj hapën Mësonjëtoren e Gjuhës Shqipe në Athinë, për fëmijët shqiptarë që duan të mësojnë për gjuhën e kombit të tyre, gjuhën e nënës. Mësuese Bora e ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV tregoi se si i hapën 7 klasa të mësimit të gjuhë shqipe, për mbi 130 nxënës shqiptarë të Greqisë.
“Ne japim mësim në dy shkolla publike në fundjavë. Puna jonë është vullnetare, nuk paguhemi. Ne arritëm sivjet që të japim mësim në shkolla publike që është shumë e vështirë. Ne marrim leje te drejtori i shkollës dhe fëmijët që duan të mësojnë shqip vijnë pasdite në shkollë dhe mësojnë për gjuhën e tyre. Kjo bëhet në fundjavë.
Ne na kanë ndihmuar shumë edhe drejtorët e dy shkollave, që janë grekë. Me ndihmën e tyre, çdo të shtunë, unë dhe tri koleget e mia krijojmë katër klasa në një shkollë dhe tre në një shkollë tjetër. Numri i nxënësve në të dyja shkollat është 130. Janë nga mosha 6 vjeç deri 14-15 vjeç.”, tha mësuese Bora.
Ajo i bën thirrje prindërve në Diasporë që t’i çojnë fëmijët në kurset për gjuhën shqipe, sepse pa gjuhë nuk ka komb.
“Përmes emisionit tuaj, unë dua t’u bëj thirrje të gjithë prindërve në Diasporë të sjellin fëmijët e tyre pranë këtyre kurseve për mësimin e gjuhës shqipe. Sepse pa gjuhë nuk ka komb. Bëj thirrje që edhe në shtëpi të flasin vetëm shqip, ashtu siç flasim ne në familjen tonë.” Ky ishte mesazhi i mësuese Borës, mësonjëtores së gjuhës shqip në dy shkolla të Athinës.
Nuk ka vetëm himarjotë që bërtasin greqisht në Himarë, ka të tjerë si Boralda që flasin e mësojnë shqipen në Athinë. Vullnetarisht. Me guxim. Në emër të gjuhës dhe origjinës.