Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar 25-vjetorin e masakrës së Izbicës nga forcat serbe, gjersa thekson se kujtesa historike është në funksion të respektimit të të kaluarës sonë, dokumentimit, sikurse edhe ndërtimit të së ardhmes.
E para e shtetit thekson se mizoria në Izbicë, mbetet e skalitur në kujtesën tonë, duke sjell në vëmendje çmimin e lirisë.
“Ndaj sot kujtojmë 25 vjetorin e masakrës së Izbicës, kur forcat gjenocidale të Serbisë masakruan 147 civilë, në mesin e të cilëve edhe vajzën 6-muajshe, Dafina Qelaj. Ajo dhe të tjerët u vranë në shtëpitë e tyre vetëm pse ishin shqiptarë.
Në tentim për t`i fshehur gjurmët e krimit, viktimat civile regjimi gjenocidal i Serbisë i varrosi në varrezë masive në Petrovo Sello në Beograd, në Novolan dhe në Bistricë.
Kujtimin për Izbicën dhe të gjitha masakrat gjithandej Kosovës do ta mbajmë gjallë gjithnjë si një dëshmi për rrugën e vështirë nëpër të cilën kaluam dhe si kërkesë të përhershme për drejtësi.
Qoftë i paharrueshëm kujtimi për 147 të vrarët në Izbicë!”, shkruan Osmani.