Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, në prag të sezonit veror, fton turistë vendas e të huaj të vizitojnë një atraksion të mrekullueshëm kulturor siç është Manastiri i Shën Mërisë Hyjlindëse, në fshatin Zvërnec.DRTK fton për të njohur nga afër ndërthurjen e rrallë midis historisë, kulturës dhe peizazhit mbresëlënës.
Zvërneci gjendet pak kilometra larg qytetit të Vlorës, në pjesën veriperëndimore të saj.
Në Manastir mund të shkohet me një urë këmbësorësh, prej druri. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X-të pas Krishtit.
Kisha është e tipit “kryq i lirë” me kupolë. Ajo mbart në vetvete dy faza ndërtimi, duke u veçuar në pjesën e vjetër dhe atë të re. E vjetra përbehet nga naosi (salla) dhe narteksi (parasalla).Naosi ka formën e një kryqi të lirë, ku krahët lindore dhe perëndimore janë më të gjatë se krahët jugore dhe veriore. Ai përbëhet nga absida, një protezis gjysmërrethor dhe diakonikoni.
Pjesën më të madhe të tij e zë tamburi me kupolën, i cili është ndërtuar me gurë e copa tullash të vendosur me llaç midis tyre. Narteksi është pjesa tjetër e ndërtimit të vjetër që përfaqësohet nga një zgjatim katërkëndor. Ndërsa pjesa më e re e kësaj kishe përbehet nga ekzonarteksi dhe këmbanorja.