TV LIVE
Nga Rajoni
25 March 2024
Rama: Shtegu i Ngjyrave, itinerar mes peizazheve të mrekullueshme në Shishtavec

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Shtegu i Ngjyrave në rajonin e Kukësit.

Rama theksoi se nga ky shteg nis rrugëtimi në Parkun Natyror Korab-Koritnik duke ofruar një itinerar mes peizazheve të mrekullueshme.

Të apasionuarit pas ngjitjeve dhe turizmit malor nuk duhet të humbasin gjatë pranverës kalimin Shishtavec-Çajë, që njihet edhe si “Shtegu i Ngjyrave”.

Ky shteg vizitohet nga mijëra turistë vendas e të huaj.

Shtegu i Ngjyrave kalon nga bjeshkët e Çajës të Kukësit dhe vazhdon deri në Fushën e Korabit. Afër këtij shtegu ndodhet edhe trekëndëshi ndërkufitar Kosovë-Shqipëri-Maqedoni e Veriut. Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë.

Gjurmët e këtij shtegu vijnë që nga lashtësia në kohën e krishtërimit. Mendohet se është një shteg 2400-vjeçar, i quajtur ”Scardus” nga romakët, që në latinisht do thotë plot ngjyra, për shkak të luleve të shumta dhe peizazhit që krijohet në stinë të ndryshme. I pozicionuar në jug të maleve të Sharrit, mendohet që kjo hapësirë të jetë ndër kullotat alpine më të mëdha në Evropë. /Telegrafi/



Të ndryshme
Më shumë