TV LIVE
Nga Rajoni
25 March 2024
Urgjenca në ‘QSUT’ një muaj e gjysëm jashtë funksionit, largohet nga drejtimi Albana Fico

Albana Fico, e cila mbante postin e drejtoreshës së Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT) është larguar nga detyra.

Albana Fico nuk do të jetë më në krye të QSUT-së, post të cilin e mori rreth 3 vite më parë.

Ende nuk dihen shkaqet e largimit të Albana Ficos, por kujtojmë se ajo ka qenë e sulmuar nga opozita për tenderat e barnave.

Po ashtu së fundmi edhe hetimi që po zhvillohet nga prokuroria për zjarrin që ra në Urgjencën e re të QSUT-së, godinë e cila është inauguruar prej më pak se një viti.

Urgjenca në spitalin e sëmundjeve të brendshme në 'QSUT' është jashtë funksionit prej 11 shkurtit, kur në katin -1 të saj ra një zjarr, shkaqet e të cilit janë ende të panjohura dhe po hetohen nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa Drejtoria nuk mori masa pas ngjarjes për menaxhimin pa vonesa të urgjencave. 

Qytetarët sorollaten para Urgjencës së re, teksa u vonohet ndihma e shpejtë, ndërsa shumica prej tyre dërgohen tek urgjenca e Traumës, pasi nuk marrin shërbimin tek Urgjenca e sëmundjeve të brendshme.   

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet dhe ka sekuestruar dhe dosjen e tenderit për ndërtimin e urgjencës, pasi investimi për Spitalin e Ri në Qendrën Spitalore Universitare ka kushtuar rreth 17 milionë euro.

Dyshohet se flakët erdhën nga diçka e shkuar keq në aparaturat e urgjencës, një pjesë e të cilave, sot nuk punojnë, ose janë dëmtuar, ose nuk vihen në funksion siç pretendohet për shkaqe sigurie.

Albana Fico u emërua në krye të QSUT në 2 dhjetor 2021 dhe zëvendësoi në këtë detyrë  Enkelejd Jotin.

Më heret ajo mbante postin e drejtoreshës së Përgjithshme të ISHP-së.



Të ndryshme
Më shumë