“Oppenheimer”, një film që ka të bëjë me garën se kush e ndërton bombën e parë atomike, i ka fituar shtatë çmime Oscar, përfshirë çmimin kryesor për filmin më të mirë, gjatë një ceremonie të dielën në Los Anxhelos.
Ky film ishte i nominuar për 13 çmime Oscar.
Aktori irlandez, Cillian Murphy, e fitoi çmimin për aktorin më të mirë për rolin e tij në këtë film, ku e luajti fizikanin teorik, J. Robert Oppenheimer, i cili ishte lideri i përpjekjeve amerikane në vitet ’40 për ta krijuar një armë e cila do t’i jepte fund Luftës së Dytë Botërore.
Regjisori i “Opppenheimer”, Christopher Nolan, e fitoi çmimin për regjisorin më të mirë.
“Ne e bëmë një film për njeriun i cili e krijoi bombën atomike, dhe ne po jetojmë në botën e Oppenheimerit qoftë për mirë apo për keq”, tha Murphy pasi e mori çmimin e aktorit më të mirë.
“Këtë çmim do të doja t’ua kushtoja paqebërësve kudo”, shtoi ai.
Drama historike, që zgjat tri orë, rreth shkencës dhe politikës, “Oppenheimer” u bë hit dhe i fitoi 953.8 milionë dollarë, si dhe mori lëvdata të mëdha nga kritikët.
Ky ishte filmi i parë me të cilin Nolani fiton Oscar për filmin më të mirë.
Emma Stone e fitoi çmimin për aktoren më të mirë për rolin që e luajti si një grua e ngjallur nga të vdekurit në komedinë “Poor Things”.
“Kjo është vërtet e jashtëzakonshme”, tha Stone.
Për disa kjo ishte natë historike, pasi Ukraina e fitoi Oscarin e parë për dokumentarin më të mirë: “20 Days in Mariupol”, ndërsa Britania e Madhe e fitoi Oscarin për filmin më të mirë ndërkombëtar: “The Zone of Interest”.
Robert Downey Jr. nga “Oppenheimer” dhe Da ‘Vine Joy Randolph nga “The Holdovers” fituan çmime si aktorët më të mirë në rol dytësor.