Turqia i është bashkuar Arabisë Saudite, Egjiptit dhe Jordainisë të cilat e kanë dënuar sulmin e forcave izraelite mbi palestinezët të cilët ishin duke pritur për ndihma, të enjten në Gaza.
Ministria e Jashtme turke e ka quajtur veprimin “një krim tjetër kundër njerëzimit”, raportoi AP.
Franca ndërkaq ka kërkuar “një hetim të pavarur” për rrethanat në të cilat trupat izraelite hapën zjarr ndaj turmës që po priste për ndihma.
Ministri për Evropë dhe punë të jashtme, Stéphane Séjourné, ka thënë se do të kërkojnë sqarime për këtë ngjarje.
“Ne do të kërkojmë sqarime, dhe duhet të bëhet edhe një hetim për të përcaktuar se çka ka ndodhur”, është shprehur ai.
Edhe Kina ka reaguar duke kërkuar që të ndërpriten luftimet në Gaza.
“Kina është e shokuar nga incidenti dhe e dënon fuqishëm atë. Ne shprehim dhimbjen tonë për viktimat. Kina kërkon nga të dy palët, posaçërisht nga Izraeli, një armëpushim dhe përfundimin e luftimeve menjëherë”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së Jashtme kineze.
Izraeli ka thënë se shumica e të vdekurve janë shkelur në kaosin e krijuar duke pritur tek disa kamionë për ndihma, dhe se trupat e tij kanë gjuajtur me armë kur janë ndier të rrezikuar nga turma.
Ministria e Shëndetësisë e Gazas ka thënë se më shumë se 100 persona janë vrarë dhe të paktën 700 janë plagosur të enjten. Numri total i palestinezëve të vrarë në Rripin e Gazës është më shumë se 30,000 që kur ka nisur lufta Izrael-Hamas, afërsisht pesë muaj më parë.