TV LIVE
Kuriozitete
26 February 2024
Figurat ikonike të kulturës e sportit i kthehen Mitrovicës në murale

Rruga “Lah Nimani” në Mitrovicë është kthyer në një lloj galerie me imazhet e figurave ikonike të kulturës së vendit dhe jo vetëm. Të dielën në mesditë, shumica prej muraleve kanë qenë gati në përfundim. Autorët e tyre kanë qenë duke spërkatur me ngjyrë për detajet finale në vepra. Ritmet e muzikës “heavy metal”, e deri në ato të melodive qytetare vendore kanë përcjellë artistët në punën e tyre

Figurat ikonike të kulturës e sportit, jo veç të Mitrovicës, kanë zënë vend në njërin prej objekteve të atij që njihet edhe qyteti i minatorëve. Janë portretizuar në njërën pjesë të murit të palestrës “Minatori”. Një pjesë e kontributit në trashëgiminë e historinë e vendit përcillet nëpërmjet muraleve të personaliteteve të shquara të punuara nga artistët e brezit të ri.

Rruga “Lah Nimani” në Mitrovicë është kthyer në një lloj galerie me imazhet e figurave ikonike të kulturës së vendit dhe jo vetëm. Të dielën në mesditë, shumica prej muraleve kanë qenë gati në përfundim. Autorët e tyre kanë qenë duke spërkatur me ngjyrë për detajet finale në vepra.

e muzikës “heavy metal” e deri në ato të melodive qytetare vendore kanë përcjellë artistët në punën e tyre. Bashkëpunimi i pjesëmarrësve dallohet lehtë. Ndihma për njëri-tjetrin e sugjerimet janë njëra “skenë” e edicionit të tretë të festivalit “Promaja” që e organizon organizata “Futja ngjyrë” nga Mitrovica.

Përshkimi i njërës pjesë të jashtme të objektit të palestrës “Minatori” është pikëtakim vizual me plot figura që fizikisht janë shuar prej dekadash. Prej tyre, të vrarë në luftën e fundit në Kosovë. Me vështrimin në portretin e tyre, si rrufe vjen kujtesa për veprimtarinë e tyre.

Bardhyl Dobroshi, drejtor i “Futja ngjyrë”, ka thënë se me këto vepra synojnë që kujtimi për kontribuuesit e jetës kulturore e sportit në Mitrovicë të jetë i pranishëm, të paktën derisa përshkohet kjo pjesë e qytetit.

“Misioni është se kemi dashur t’i sjellim pak ngjyrë Mitrovicës, përveç kësaj edhe trashëgiminë kulturore, disa figura që kanë filluar të harrohen. Duam t’i vendosim në mure që të shihet se në Mitrovicë nuk ka pasur vetëm luftë. Ka edhe vlera”, ka thënë Dobroshi, derisa ka theksuar edhe përgjegjësinë që bart organizata kur merr përsipër punimin e portreteve të këtyre personaliteteve.

“Ky është projekti më i vështirë që kemi bërë. Edhe për shkakun e familjarëve, qytetarëve të Mitrovicës. Nuk janë punime abstrakte, nuk po bëjmë emrat tonë, nuk është tekst, po bëjmë portrete të njerëzve që kanë kontribuar për këtë vend”, ka thënë Dobroshi, i cili ka punuar njërin prej muraleve. Atë të Basri Tupellës.

Rendi i muraleve nis me figurën e ish-hendbollistit të zhdukur në vitin 1999 nga regjimi serb. Ishte anëtar i klubit hendbollistik “Trepça” nga Mitrovica dhe i ish-reprezentacionit të Jugosllavisë në vitet ‘80. Në muajin qershor të vitit 1999 policia serbe e kishte arrestuar dhe nga atëherë, është i zhdukur.

Portreti i një tjetër figure të shquar në fushën e sportit është stampuar aty - ish-kryetarja e Lidhjes së Sporteve në Mitrovicë, Fatime Xhaka. Ka udhëhequr institucionin nga viti 1995, e deri në ditën kur do të vritej nga forcat serbe. Xhaka ishte edhe kryetare e klubit të pingpongut “Trepça”.

Për kontributin e tij në sport, Ahmet Behramit i është kushtuar njëri prej muralëve. Figura e kampionit të shumëfishtë në futboll e ish-trajnerit të disa skuadrave të futbollit po merr formë.

Organizatorja e festivalit “Promaja”, Dea Gaxha, ka thënë se ka qenë shumë e vështirë të kufizohen në vetëm disa personalitete për të punuar muralet. Sipas saj, qëllimi ka qenë të kujtohet kontributi i tyre për vendin.

“Krejt qëllimi ka qenë që personalitetet kryesore që ndërlidhen me sport e kulturë të vizatohen këtu dhe kur kalojnë njerëzit këtej t’i shohin personalitetet e Mitrovicës dhe të kujtojnë veprën e tyre. Pos kësaj, çdo të diele zhvillohen ndeshje këtu dhe njerëzit nga jashtë Mitrovicës i shohin. I kthehet pak gjallëria që qyteti ka pasur më parë”, ka thënë Gaxha.

Gaxha ka treguar se projekti, pos rikthimit të kujtesës për figurat e dalluara të qytetit, ka qenë që të motivohen artistët e rinj. Ka thënë se kanë qenë të lirë në skicimin e veprave të tyre.

“Kanë qenë personalitetet që do të punohen që i kemi zgjedhur ne si organizatë. Mirëpo ngjyrat, në bashkëpunim me artistët kemi vendosur që dritëhijet dhe krejt ngjyrat të jenë njësoj. Të anojnë nga ngjyra kafe dhe të duken mirë krejt bashkë, si një mural i madh, si frymëzim nga ‘The wall of fame’ në Amerikë. Përveç kësaj, artistët kanë qenë shumë të lirë me skicimin e tyre. Edhe ata e kanë ditur barrën që kanë pasur në paraqitjen e personaliteteve”, ka thënë organizatorja e festivalit “Promaja”, Dea Gaxha.

Janë gjithsej nëntë murale që pritet të përfundohen deri të mërkurën. Me nuancat e ngjyrave ‘sepia’ që variojnë nga ajo bezhë deri tek kafe e mbyllur, sillen si fotografi të vjetra që zgjojnë nostalgji e kujtime. Ky ka qenë edhe qëllim e kriter i festivalit “Promaja” për punën e artistëve.

Aktori i shquar Adem Mikullovci është sjellë me sprejat me ngjyra nga Elva Gashi dhe Antika Curroja. Kjo e fundit ka thënë se vepra e tyre vjen në shenjë nderimi për veprën e Mikullovcit që i kishte ndjekur në fëmijërinë e tyre.

“E kemi përzgjedhur sepse jemi rritur me humorin e tij. Ka shumë vepra të mira. E kemi punuar me ngjyra ‘sepia’ për shkak që të duket pak më e vjetër dhe më artistike”, ka thënë Curroja derisa ka thënë se murali po pritet goxha mirë nga qytetarët në Mitrovicë.

“Kushdo që kalon ndalet dhe jep komplimente. Ende pa e përfunduar mirë, ka pasur shumë reagime të mira. Kjo është hera e parë që marrim pjesë në ‘Futja ngjyrë’. Kemi kaluar shumë mirë, shpresoj se do të kthehemi prapë në edicionet e tjera”, ka thënë ajo.

Mbishkrimi “Moj e mira te pojata” ka zënë vend në njërin prej muraleve. Ndonëse të dielën në mesditë ka qenë duke u punuar në sfondin e veprës, bëhet me dije se aty do të vendosen vijat e portretit të Haki Misinit, njërit prej zërave ikonikë të muzikës rock në vitet e 70-ta në Kosovë.

U vra dhe u zhduk nga forcat serbe në vitin 1999. Do të gjendjen në vitin 2005 në Suhodoll të Mitrovicës.

“Moj e mira te pojata”, “Tri gota”, “Në syrin tënd pash një lot” , “Idila verore”, “Qenke rritë moj s’të zen këmisha”, janë këngët që sot janë pasuri për skenën muzikore vendore. Grupi “MAK”, në të cilin Misini ishte vokalist, konsiderohet pionier i rock muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e këtij lloji të muzikës në vend.

Aktori i qindra roleve Xhevat Qena, poeti Jakup Ceraja e ish-futbollisti Riza Lushta që ka zhvilluar karrierë edhe në Itali e Shqipëri janë pjesë e asaj që ngjan në një lloj galerie e hapur urbane.

Në murin e njërit prej objekteve që zë vend në qytetin e tij, portreti i boksierit e trajnerit të njohur Lah Nimani ka qenë në përfundim. Të mërkurën, Shend Stavileci ka bërë prekjet e fundit në portretin ku dritëhijet formojnë figurën Nimanit.

Shend Stavileci, me profesion arkitekt, ka thënë se Nimani është një prej figurave me sfondin më të madh të sportit për Mitrovicën.

“Për ne është krenari që t’i përkujtojmë ikonat e Mitrovicës që kanë kontribuar për vendin, edhe pse gjeneratat e reja mund të mos i njohin. Kjo është një ide e mirë, një art i mirë që të rinjtë dhe ata që vijnë në Mitrovicë të mësojnë për këto figura dhe të njohin kontributin e tyre”, ka thënë ai derisa ka treguar se muralin e ka punuar bashkërisht me një tjetër artist që në veprat e tij është kryesisht mesazhi “Rri. Mos ik!”. Ky është edhe emërtimi artistik për të.

“Bashkë me Gëzimin, artist nga Prishtina, tema e tij ka qenë që rinia të mos dalë nga Kosova, për atë arsye edhe janë figurat ‘Rri, mos ik’. Kemi punuar dje dhe pardje bashkë, ku jemi munduar që me mënyrën tonë të artit ta prezantojmë një figurë si Lah Nimani”, ka thënë Stavileci për veprën kushtuar Lah Nimanit, i cili vdiq më 20 shkurt të vitit 2008.

Rruga në të cilën gjendet palestra “Minatori” ku muralet po punohen mban emrin e Nimanit, që konsiderohet kontributdhënës i madh i boksit të Kosovës.

“Promajë” është projekt i zbatuar prej organizatës “Futja ngjyrë”. Si koncept dhe si projekt është duke u zhvilluar që nga viti 2016 në kuadër të programit ‘Reload 2’ të UNDP-së.



Të ndryshme
Më shumë