TV LIVE
Nga Bota
24 February 2024
Stoltenberg: Ukraina më afër NATO-s se kurrë, Putini deshi t’ia mbyllte këtë derë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Ukraina kurrë nuk ka qenë më afër anëtarësimit në NATO, dhe se presidenti rus Vladimir Putin deshi që asaj t’ia mbyllte këtë derë.

“Presidenti Putin e filloi këtë luftë sepse donte të mbyllte derën e NATO-s dhe t’i mohonte Ukrainës të drejtën për të zgjedhur rrugën e saj. Por ai ka arritur pikërisht të kundërtën: Ukraina tani është më afër NATO-s se kurrë më parë”.

Ai në fjalimin qe e dha me rastin e shënimit të dyvjetorit të fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, tha gjithashtu se vetëm në ditët dhe javët e fundit, aleatët e NATO-s kanë njoftuar paketa të reja ndihme me vlerë miliarda dollarë.

“Këto mbulojnë aftësitë kryesore si municionet e artilerisë, mbrojtja ajrore dhe varkat luftarake. Si dhe pajisjet dhe pjesët rezervë F-16, dronët dhe pajisjet e çminimit. Më shumë mbështetje është në rrugë e sipër”, theksoi Stoltenberg.

“Ne po ndihmojmë për t’i bërë forcat tuaja gjithnjë e më të ndërveprueshme me aleatët. Së bashku do të hapim një Qendër të Përbashkët Analize, Trajnimi dhe Edukimi në Poloni. Dhe ne po thellojmë lidhjet tona politike përmes Këshillit NATO-Ukrainë, ku konsultohemi dhe marrim vendime së bashku. Ukraina do të anëtarësohet në NATO. Nuk është çështja nëse, por kur. Ndërsa ne ju përgatisim për atë ditë, NATO do të vazhdojë të qëndrojë me Ukrainën. Për sigurinë tuaj, dhe për tonën”.



Të ndryshme
Më shumë