Më shumë se 67.000 qytetarë rusë i kanë dërguar letra Komisionit Hetues të Rusisë, duke i kërkuar që trupi i Alexei Navalnyt t’i kthehet familjes, raportoi të martën mediumi Meduza.
Zemërimi ndaj autoritetet ruse është duke u rritur, për shkak të mospranimit të tyre për ta liruar trupin e kritikut të zëshëm të Kremlinit, i cili vdiq në një burg rus të premten, sipas autoriteteve ruse.
Grupi për të drejtat e njeriut, OVD-Info, e ndërmori këtë nismë në një kohë kur Bashkimi Evropian bëri thirrje për një hetim të brendshëm të pavarur për vdekjen e Navalnyt në një burg të largët në Arktik.
E veja e kritikut të Kremlinit, Yulia Navalnaya, e ka fajësuar publikisht presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për vdekjen e burrit të saj, si dhe është zotuar se do ta vazhdojë luftën e tij kundër Kremlinit dhe se do t’i ndëshkojë përgjegjësit e vdekjes së tij.
Nisma e OVD-Infos po e përdor shërbimin Dyatel (Qukapiku), i cili ua mundëson qytetarëve të dërgojnë kërkesa zyrtare online.
Zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh, shkroi në rrjetin social X të hënën se zyrtarët rusë i kanë thënë familjes se do t’iu duhet dy javë për ta analizuar trupin e tij.
“Hetuesit i thanë avokatëve dhe nënës së Alexeit se ata nuk do t’ua japim trupin atyre. Trupi do t’i nënshtrohet njëfarë ‘analize kimike’ për 14 ditë”, shkroi ajo.
“Ata genjëjnë, i blejnë kohë vetes dhe as që e fshehin këtë bile”, shtoi ajo.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel kanë bërë thirrje për sanksione shtesë kundër Moskës, për ta mbajtur përgjegjëse për vdekjen e Navalnyt.
“Rusia duhet patjetër të lejojë hetim të brendshëm të pavarur dhe transparent ndaj rrethanave të vdekjes së tij të papritur”, thanë ministrat në një komunikatë.
Navalnaya, e cila është bërë kritike e Kremlinit në vitet e fundit, u zotua se “do ta vazhdojmë luftën tonë për vendin tonë”, teksa udhëtoi drejt Brukselit për të kërkuar mbështetje nga blloku me 27 vende anëtare.
“Tri ditë më parë, Vladimir Putin, e vrau burrin tim, Alexei Navalny”, tha Yulia Navalnaya në një video të shkurtër në X.
Navalny është i fundit në një listë të madhe të kundërshtarëve të Putinit që përfundon i vdekur nën rrethana të dyshimta jashtë vendit apo në atdhe, ku Kremlini i ka shtypur pamëshirshëm kundërshtarët dhe lirinë e shprehjes prej se e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022.
Policia ruse i ka rrethuar zonat memoriale, ku njerëzit vendosnin lule dhe qirinj për nder të Navalnyt, prej 16 shkurtit, kur u njoftua vdekja e tij. Janë arrestuar po ashtu mbi 430 njerëz në dhjetëra qytete ruse.