TV LIVE
Nga Rajoni
17 February 2024
16 vjetori i Pavarësisë së Kosovës

16 vite më parë, Kuvendi i Kosovës përmes një deklarate të nënshkruar nga deputetët e Republikës, veç atyre serbë, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Deklarata ishte lexuar nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

Më 17 shkurt 2008, në një mbledhje ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta.

Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës është Muhamer Ibrahimi.

Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.

Pergamena e vjetër 200-vjeçare, në të cilën është nënshkruar Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.

Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesëmarrës në seancë, si dhe flamuri i vendosur në Seancën e Shpalljes së Pavarësisë.

Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë.

Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi

Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiçi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyra e kaltër simbolizon Evropën.

Prezente gjatë seancës së shpalljes së pavarësisë të Kosovës, me transmetime direkte edhe mediat më të njohura botërore si: CNN, BBC etj..



Të ndryshme
Më shumë