TV LIVE
Kuriozitete
17 February 2024
“Vdes kur dua vetë” për Demaçin e idealit për liri e pavarësi

Nëpër dokumente e materiale të tjera arkivore mund të lexohet rrugëtimi i Adem Demaçit, si figurë unike që mbajti gjallë idealin për liri e pavarësi. E pikërisht në përvjetorin e 16-të të Kosovës shtet, ekspozita “Vdes kur dua vetë” risjell rrëfimin për të, si figurë unike e sakrificës për kauzën kombëtare

Roli i pakontestueshëm i Adem Demaçit në historinë e Kosovës përkthehet si një avokat i zellshëm i të drejtave të shqiptarëve, i cili e fitoi “rastin” e tij i mbështetur në pasionin e zjarrtë që kishte për idealin e Pavarësisë së Kosovës. Ia kushtoi gjithë jetën ndjekjes së lirisë dhe drejtësisë për popullin e tij. Ky përkushtim i tiji, i cili u testua dhe me 28 vjet privim nga liria u bë ideal për parime e dinjitet njerëzor. U shndërrua në simbol të rezistencës dhe burim frymëzimi.

intelektuale e Demaçit (26 shkurt 1936 – 28 korrik 2018) bashkë me guximin e tij të pamohueshëm, u përkujtuan me ekspozitën e organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës. “Vdes kur dua vetë” – e shkruar me një gabim edhe në pano – është titulli i cili pasqyron natyrën nonshalante të Demaçit karshi sprovave e sakrificave të cilat nisi t’i paguante qysh në fillim të veprimtarisë së tij. Ekspozitë – e hapur mesditën e së premtes në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës – vjen në kuadër të festimeve për përvjetorin e 16-të të Pavarësisë së Kosovës. Nëpër pano ekspozohet dokumentacion burimor arkivor që pasqyron fillet e veprimtarisë patriotike, por edhe krijuese të Adem Demaçit. Aty ka tregime, dorëshkrime jashtë burgut, nga ato ku ai shkruante romanet “Drithë e miell bashkë” dhe “Politika dhe pushka”, vepra të mbetura në gjysmë. Shpalosen edhe aktet e procedurës hetimore, ankesat, ekspertizat, vendimet e masave të sigurimit, procesverbalet e bastisjeve dhe marrjes në pyetje, raportet e provave, e aktakuzat.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bislim Bislimi, në fjalimin hapës ekspozitën e ka vlerësuar si pikënisje për hulumtimet mbi figurën e Demaçit.

“Ky material, që sot me rastin e 16-vjetorit te Pavarësisë së Republikës së Kosovës po ekspozohet për publikun, është pikënisja e një rruge të gjatë përpara që kanë institucionet tona akademike, shkencore, kulturore, arkivore e publicistike për të ndjekur pemën e hulumtimeve e gjurmimeve për figurën e Adem Demaçit dhe të personaliteteve unike të popullit e të kombit tonë, që kontribuuan e u sakrifikuan në rrugën e gjatë e përplot sakrifica të mbijetesës së qenies sonë politike, historike e kulturore”, ka thënë Bislimi.

Për jetën dhe veprimtarinë e Adem Demaçit është folur e është shkruar kaherë, por horizontet e reja karshi shpjegimit e hulumtimit të mëtejme rreth një jete kushtuar idealit kombëtar nuk mbarojnë.

Image

Historiani Hakif Bajrami, i pranishëm në këtë ekspozitë, ka thënë se vetë titulli i ekspozitës tregon se kush ishte, kush është, e kush do të jetë për të gjithë shqiptarët Adem Demaçi.

 

“Ai është një figurë madhështore që i kalon edhe kufijtë kombëtarë, njëherësh laureat i çmimit ‘Saharov’. E ka nderuar tërë Evropa, tërë rruzulli tokësor, andaj ne duhet ta respektojmë e nderojmë”, ka thënë Bajrami duke e cilësuar figurën e Demaçit si të pavdekshme.

Poeti e studiuesi i letërsisë, Agim Vinca, ka thënë se ekspozita është e duhura për festimet e Pavarësisë, pavarësisht kritikave të tij drejtuar kurimit dhe gabimeve gjuhësore në titullin e ekspozitës.

“Mendoj se është një veprim i duhur. Adem Demaçi është një figurë e madhe e historisë dhe kulturës shqiptare, një njeri që gjithë jetën ka sakrifikuar për kauzën kombëtare, një njeri që kishte një gjerësi të madhe intelektuale, autor i romanit të parë modern në letërsinë shqipe ‘Gjarpinjtë e gjakut’, një njeri që mbajti gjallë idenë e lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës, është një gjetje e mirë që në prag të përvjetorit hapet kjo ekspozitë. Sa i përket ekspozitës vetë, ka mundur të jetë më e pasur dhe e sistemuar, sidomos në përzgjedhjen e mendimeve të shfaqura nga personalitetet për Adem Demaçin”, ka thënë Vinca.

Për të, Adem Demaçi pas kontributit e përpjekjeve të pastra për kauza kombëtare fshihte një shpirt plot pasion dhe të palodhshëm.

“Adem Demaçi ishte një njeri që kishte një energji të jashtëzakonshme. Në një trup të vogël rrihte një zemër e madhe që e donte popullin e vet dhe nuk i urrente popujt e tjerë”, ka përfunduar ai.

Si autor i dhjetëra veprave për jetën dhe veprimtarinë e Demaçit, Selatin Novosella, mik i Demaçit, në një fjalim në kuadër të ekspozitës ndau një ide krahas vlerësimeve adresuar figurës së tij.

“Për çdo personalitet cilido qoftë ai, mund të shënohet kujtimi për të në data të rrumbullakuara, si përvjetorë të lindjes, vdekjes e të tjerë. Por, për Adem Demaçin duhet të ketë së paku dy manifestime si promovime librash, program artistik, ekspozitë si kjo e sotshmja, çfarëdo qoftë, të vlefshme: në ditëlindjen e tij më 26 shkurt dhe në ditën e vdekjes së tij 26 korrik. Unë jam i sigurt që sa më shumë ta kemi Adem Demaçin pranë nesh dhe me ne, jemi më të fortë”, ka thënë Novosella.

Simbolika e kësaj ekspozite në kohë feste për shtetësinë e Kosovës vjen si një kthjellim i kujtesës, rikujtim i sinqertë i cili fton në reflektim e vlerësim për rrugën nëpër të cilën është shtruar trajektorja e shtetit të Kosovës, para dhe gjatë këtyre 16 vjetëve pavarësi.



Të ndryshme
Më shumë