Kryeministri i Kosovës ka ripërsëritur mbrëmë se dinari nuk është ndaluar në Kosovë por që euro mbetet valuta zyrtare e vendit.
“Vetëm Euroja është mjet pagese në Kosovë. Ne japim grante për serbët dhe më besoni të gjithë i pranojnë eurot. Edhe në Mal të Zi jetojnë serbët dhe as ata nuk e urrejnë euron. Unë do të bëj më shumë komunikim me serbët. Do të flasë serbisht me ta në mënyrë që të kuptojnë situatën. Nuk kam asgjë kundër serbëve. Unë kam miq serb, kam ministra serb, zëvendës avokati i Popullit është po ashtu serb”, u shpreh Kurti në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Kurti ka përmendur edhe disa institucione tjera të larta në Kosovë që drejtues janë serbët.
“Kriminelët janë individë, nuk ka komunitet kriminel”, ka shtuar Kurti.
Ai ka përmendur edhe konvertimin e targave si një argument se serbët mund të integrohen në Kosovë.
“Serbët kanë pranuar targat edhe pse shkronja e parë fillon me “R” që simbolizon republikën tonë. Në euro nuk ka simbole të Kosovës, serbët nuk kanë arsye pse të mos e pranojnë euron”.
Kurti ka komentuar edhe ballinat e gazetave serbe se gjoja Kosova po hakmerret ndaj serbëve për atë që u ndodhi kosovarëve në vitin 1999.
“Dëgjuam kritikën për ndërhyrjen e NATO-s, që shpëtuan shtetin tim. 19 shtete janë bërë bashkë për të bombarduar një shtet, Jugosllavinë e Millosheviqit. Por duhet të kesh qenë në vendin tim për të kuptuar se sa e rëndë ishte situata. Katastrofë humanitare. Në këto tablodiet serbe, në ballinat e tyre shohim fantazi të hakmarrjes të Kosovës ndaj Serbëve.
“Ne nuk do të hakmerremi. Po janë vrarë mbi 10 mijë civil të pa armatosur e janë përdhunuar mbi 20 mijë gra, por nuk do të hakmerremi. Ne duam drejtësi dhe drejtësia ndodh kur nuk ka hakmarrje. Është me rëndësi që për të pasur paqe mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë hakmarrje, këtë e premtojë unë”, ka deklaruar Kurti.