Një punonjës në sektorin financiar të një kompanie në Kinë u mashtrua duke paguar 25 milionë dollarë për një keqpërdorues që përdori teknologjinë “deepfake” dhe u paraqit përmes një video-telefonate si drejtor i kompanisë.
Sipas CNN, bazuar në një raport të policisë së Hong Kongut, ky person mashtroi një punonjës duke marrë pjesë në një video-telefonatë me ata që ai mendonte se ishin disa punonjës të tjerë – por të gjithë ishin produkte të Inteligjencës Artificiale (AI).
“(Në) një video-konferencë me shumë persona, doli që të gjitha [videot] ishin të rreme”, tha një inspektor i lartë i policisë për mediat lokale.
Inspektori tha se punëtori u bë i dyshimtë pasi mori një mesazh që pretendohej të ishte nga shefi financiar i kompanisë me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.
Fillimisht punonjësi dyshoi se bëhej fjalë për një “mail phishing”, pasi në e-mail përmendej nevoja për të kryer një transaksion sekret.Megjithatë, punëtori i la mënjanë dyshimet pas video-telefonatës sepse të pranishmit e tjerë dukeshin dhe tingëllonin njësoj si kolegët që ai njohu, tha inspektori.
Duke besuar se të gjithë të tjerët në thirrje ishin real, punëtori pranoi të paguante rreth 25.6 milionë dollarë, shtoi oficeri.
Ky është vetëm një nga disa rastet e fundit ku mashtruesit kanë përdorur teknologjinë “deepfake” për të modifikuar videot e disponueshme publikisht për të mashtruar njerëzit.
Në një konferencë për shtyp, policia e Hong Kongut tha se kishte arrestuar gjashtë persona për mashtrime të tilla.
Policia tha se në të paktën 20 raste, teknologjia “deepfake” e AI është përdorur për të imituar fytyrat e njerëzve.Autoritetet në mbarë botën janë gjithnjë e më shumë të shqetësuara për sofistikimin e teknologjisë “deepfake” dhe keqpërdorimin e saj.
Në fund të muajit janar, imazhet pornografike të krijuara nga AI të yllit amerikan të popit, Taylor Swift u përhapën në mediat sociale. Fotot – të cilat tregojnë këngëtaren në pozicione seksuale – janë parë dhjetëra miliona herë përpara se të hiqen nga platformat sociale. /Telegrafi/