TV LIVE
Kuriozitete
5 February 2024
Vizionimi për Çarshinë e Madhe të Gjakovës pa koston e ringjalljes

Në 100 faqe dokument, ku imazhet e gjendjes aktuale e ato të një vizioni të ri dominojnë, një organizatë joqeveritare ka përmbledhur një koncept në bazë të të cilit puna për rivitalizimin e Çarshisë së Madhe të Gjakovës do të duhej të niste nga niveli i caktimit të zonës së mbrojtur. Më tej, sipas rekomandimeve, do të duhej plan për konservim e restaurim, po ashtu plan menaxhimi e investime kapitale. Kjo nuk është hera e parë që në adresë të Ministrisë së Kulturës dorëzohen dokumente për këtë kompleks monumental. E institucioni më i lartë kulturor në vend synon që puna të nisë me trasenë që ndan Çarshinë në dysh, por kostoja e saj parashihet të kalojë edhe buxhetin e planifikuar deri më 2026 për këtë aset

Besartë Elshani

Prishtinë, 4 shkurt – Më 1999 do të lëkundeshin themelet e Çarshisë së Madhe në Gjakovë. Shkatërrimi i saj do të rezultonte edhe në vëmendjen publike, ndonëse u bënë ndërhyrje në dy vjetët e parë të shekullit të ri. Në përkeqësimin e gjendjes së përgjithshme, si fizike e financiare, do të ndikonte edhe lënia pas dore e asaj që cilësohet si Çarshia më e madhe në rajon dhe më e vjetra në vend. Rregullimi i trasesë aty parashihet t’u hapë rrugë ndërhyrjeve në atë pjesë. Sipas Ministrisë së Kulturës, hartimi i projektit për rrugën kryesore parashihet të përfundojë brenda këtij muaji.

Raporti i vizionimit i hartuar për Çarshinë projekton transformimin në hapësirë atraktive e nxitjen e rikthimit të zejeve.

Çarshisë së Madhe të Gjakovës, si kompleks monumental që bart vlerat kulturore të trashëguara ndër breza, synohet t’i rijetësohet shkëlqimi me ndërhyrje restauruese. Vizionimin për të e ka hartuar organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”. Është bërë me iniciativë të Ministrisë së Kulturës dhe me kontribut të Komunës së Gjakovës.

Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se projekti në të cilin parashihen restaurime e konservime është paraparë të kushtojë deri në gjysmë milioni euro.

“Më i domosdoshmi, referuar përfundimeve të dokumentit të vizionimit të Çarshisë së Madhe, është ‘Projekti i sanimit të trasesë së rrugës Hadum Aga’, projekt i cili është në hartim e sipër dhe parashihet të përfundohet jo më larg se muaji shkurt i këtij viti. Shuma e saktë mund të definohet pas përfundimit të tërësishëm të projektit, por në fazën ku jemi mund të konkretizojmë që bëhet fjalë për investime rreth 450 mijë deri në 500 mijë  euro”, shkruhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë së Kulturës. Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, deri më tash në Çarshi janë shpenzuar mbi 30 mijë euro, kurse për këtë vit janë bartur 100 mijë euro të planifikuara qysh për vitin 2023. Po ashtu, nga 100 mijë euro janë parashikuar edhe për vitin 2025 dhe 2026. Vizionimi është përkrahur kryesisht nga donatorë ndërkombëtarë.   
Sipas tyre, këto ditë do të nënshkruajnë memorandum-bashkëpunimi me Komunën e Gjakovës. Sipas Ministrisë, kjo e fundit do t’i konkretizojë ndërhyrjet, ndërsa sanimi i trasesë së rrugës “Hadum Aga” do të jetë realizim i përbashkët. 
“’Projekti i sanimit të trasesë së rrugës Hadum Aga’ do përfundohet në fund të muajit shkurt dhe do t’i përcillet KK-së Gjakovë për realizim të përbashkët. Shumë shpejt do t’ju njoftojmë për këta hapa, përfshirë vlerën investuese, si dhe kohën e realizimit”, shkruhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës. 

Rekomandimet e “EC Ma Ndryshe” për hapat e mëtutjeshëm zhvillimor për Çarshinë e Gjakovës përfshijnë plotësimin e kornizës ligjore mbi Çarshinë, duke përfshirë hartimin e një plani të menaxhimit, krijimin e një trupi menaxhues, definimin e zonës së mbrojtur dhe përcaktimin e dispozitave ligjore në funksion të rregullimit të akteve intervenuese, ideuese dhe realizuese në të si tërësi e mbrojtur urbane. Rekomandohet edhe inicimi i hartimit të një masterplani të konservimit a regjenerimit urban të Çarshisë së Madhe në Gjakovë. Por te rekomandimet e dokumentit të nxjerrë nga “EC...” bëjnë pjesë edhe inicimi i projekteve të detajuara për pjesë të segmentuara të Çarshisë së Madhe të Gjakovës drejt trajtimit sa më të suksesshëm të saj dhe aplikimit të praktikave të mira, prioritizimin e Çarshisë së Madhe të Gjakovës në politikat e nivelit qendror dhe lokal drejt investimeve kapitale që do të mundësonin kthimin e gjendjes së saj burimore, regjenerimin e saj urban dhe implementimin e një vizioni gjithëpërfshirës me qëllim të aktivizimit dhe sigurimit të zhvillimit të saj ekonomik.

Tjetër pikë që rekomandohet është edhe valorizimi dhe ruajtja urgjente e strukturave dhe elementeve burimore të mbijetuara nga faktori kohë, si dhe rikthimin e elementeve burimore bazuar në dokumentacionin e trashëguar, memorien kolektive, si dhe teknikat dhe parimet e definuara në kartat ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore. “EC...” e as MKRS-ja nuk janë përgjigjur për një parallogari financiare rreth kostos së implementimit të rekomandimeve.

Siç bëhet e ditur nga Ministria, vizionimi vjen si iniciativë e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, respektivisht Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjakovë, në bashkëpunim me organizatën joqeveritare “EC Ma Ndryshe” dhe me kontribut të Komunës së Gjakovës dhe bazohet në metodologjinë e planifikimit me pjesëmarrje.

“Koncepti i vizionimit të Çarshisë së Madhe në Gjakovë është derivat i punëtorive të realizuara me përfaqësues të grupeve të ndryshme të komunitetit, respektivisht të takimeve me qytetarë, përfaqësues të bizneseve, si dhe me përfaqësues institucionalë. Po ashtu, vizionimi merr për bazë hulumtimet paraprake të realizuara mbi gjendjen burimore të Çarshisë, dokumentet planifikuese rreth saj, si dhe raporte të ndryshme të publikuara deri në momentin e realizimit të këtij dokumenti”, ka thënë drejtori ekzekutiv i organizatës “EC Ma Ndryshe”, Valon Xhabali.

Çarshia e Madhe e Gjakovës sipas këtij vizionimi mëton të jetë një tërësi urbane me rëndësi të veçantë në aspektin e kualitetit vizual dhe përmbajtjesor.

Me vizionimin e Çarshisë synohet rikthimi i saj në zonë historike dhe turistike, krijimi i hapësirave kulturore dhe rekreative, zhvillimi i aktiviteteve të ndryshme e zhvillimi i turizmit. Veçmas ruajtja e trashëgimisë kulturore, marrë parasysh se prej ndërtesave aty janë edhe aso të vjetra rreth katër shekuj.

Punëtoritë kishin për qëllim të përfshinin grupe të ndryshme si organizata, institucione e profesionistë të lëmenjve e qytetarë, që të parashtronin kërkesa, shqetësime e propozime për të ardhmen e Çarshisë së Madhe në Gjakovë. Ishte propozuar segmentimi i saj në disa zona dhe që kriteri zhvillimor të ishte i bazuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore materiale dhe jo materiale, në këtë rast që niveli qendror e ai lokal të kishin prioritet Çarshinë sa u përket investimeve kapitale.

Në raportin e vizionimit, propozimet e qytetarëve përfshijnë mes të tjerash menaxhimin e lëvizjes së veturave, organizim më të mirë të hapësirës së kafiterive, zona të lira publike, sistem për mbrojtje nga zjarri e ndriçim publik.

Ato të bizneseve në anën tjetër ishin për rikthim të stilit të mëparshëm të dyqaneve, vazhdim të traditave të mëparshme, restaurim të objekteve, të rikthehet veshja me baltë e ndërtesave, të mbështeten zejtarët, të zhvillohet turizmi, si dhe të bëhet guida turistike.

Propozimet e institucioneve përfshijnë pika si segmentimi i bërthamës së Çarshisë, zgjerimi i kufirit të zonës së saj, fokus në zeje, masterplan të konservimit, parking nëntokësor te Kulla e Sahatit, ndërlidhja me qendrën e re. Gjithashtu janë propozuar edhe porta hyrëse, subvencionimi i bizneseve të vogla e zhvillimi i turizmit.

Sipas Xhabalit, vizionimi ka për qëllim hapjen e horizonteve të reja për mundësi të regjenerimit urban të Çarshisë në hapësirë multifunksionale.

“Sipas këtij vizionimi, strukturat ndërtimore ekzistuese brenda Çarshisë mëtojnë të mundësojnë: vazhdimësinë e veprimtarisë së zejeve të vjetra, krijimin e hapësirave rekreative dhe shërbyese për qytetarë dhe vizitorë, krijimin e hapësirave për qëndrim më të gjatë të turistëve në qytetin e Gjakovës (përmes bujtinave), si dhe organizimin e shumë aktiviteteve kulturore dhe artistike të cilat do të ndikonin në gjallërimin e hapësirave të lëna pa interes për t’u vizituar dhe përjetuar”, ka treguar drejtori i “Ec ma ndryshe”, Valon Xhabali.

Sipas tij, në këtë zonë me vlerë për trashëgiminë kulturore të vendit mbizotërojnë vlerat arkitektonike tradicionale të veshura me memorien kolektive të qytetarëve.

“Ky vizionim prezanton tri produkte themeltare të derivuara nga punëtoritë e realizuara përkitazi me qytetarë, përfaqësues të bizneseve dhe përfaqësues të institucioneve e profesionistë. Këto produkte grafike pasqyrojnë parashikimet për ndërhyrje në strukturën ekzistuese të Çarshisë së Madhe në Gjakovë, të një niveli konceptual – vizionues, me theksimin e nevojës për zhvillimin e një projekti ideor, dhe më pas kryesor, me qëllim të ekzekutimit të tyre”, ka thënë Xhabali.

Prej problemeve në këtë raport përfshihet infrastruktura rrugore, si rrugët e dëmtuara dhe qasja e veturave aty, largimi e mbulimi i kalldrëmit si humbje e autenticitetit të Çarshisë, ndotja, pjesa e gjelbërimit, mungesa e aktiviteteve, shtegu për këmbësorë, pjesa e ndriçimit, mbyllja e dyqaneve, mungesa e stafit menaxhues e objektet e dëmtuara.

Në raportin e vizionimit, përmendet se shtëpitë individuale shtrihen deri në kufijtë e skajshëm të Çarshisë. Shkruhet se kompleksi monumental i mbrojtur me ligj po rëndohet me intervenimet që ia humbin autenticitetit. Pos mbulimit të kalldrëmit, theksohet edhe trajtimi i strehëve të dyqaneve, llojit të zejeve që sot ushtrohen në Çarshi, si dhe mënyra e trajtimit të finesave arkitektonike në objektet që shtrihen përgjatë Çarshisë. Tjetër çështje është edhe trajtimi i shtratit të lumit Krena pranë Çarshisë, me betonizim të tepruar.

Për nga aspekti arkitekturor, vihet në pah mosharmonizimi i ngjyrave e materialit të fasadave, mbishkrimet nëpër objekte, llojet e ndryshme të kulmeve, vendosja e tabelave reklamuese të bizneseve e shtimi i gjësendeve të tjera. Dyshemetë e dëmtuara dhe dëmtimet e objekteve nga djegia janë çështje të tjera që flasin për gjendjen e Çarshisë.

Bëhet e ditur se koncepti i vizionimit merr për bazë primare rezultatet e propozimeve nga qytetarët, bizneset dhe institucionet. Nga kjo janë krijuar pesë shtyllat e vizionimit. Trajtimi i trasesë së rrugës që kalon nëpër Çarshi përfshin rikthimin e kalldrëmit si qëllim për të ruajtur autenticitetin. Pikat e tjera finale që përfshihen në kapitullin “Vizionimi” të raportit janë edhe zonimi i Çarshisë së Madhe në nënzona, stimulimi i zhvillimit të zejeve dhe ekspozimi më i madh i tyre si komponentë e edukimit joformal, organizimi i aktiviteteve që pasurojnë ofertën turistike, si dhe funksionalizimi i bujtinave dhe i zhvillimit ekonomik.

Në vizionimin që synon zhvillimin e Çarshisë së Madhe të Gjakovës shkruhet se me të synon “ruajtjen e frymës origjinale, vazhdimin e traditave dhe krijimin e gjallërisë urbane përmes ri-aktivizimit të shumë funksioneve kryesore të cilat dikur e bënin atë si qendër shumë të rëndësishme ekonomike e kulturore”.

Projekte dhe ndërhyrje në Çarshinë e Madhe në Gjakovë kishte edhe më parë. Në raportin e vizionimit shkruhet se Fakulteti i Arkitekturës në Sarajevë, me angazhimin e studentëve kosovarë në këtë fakultet, kishte nisur një studim për rijetësimin e tij në vitin 1979. Projekt tjetër që përmendet ishte edhe ai kur nisi ndërhyrja pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë me qëllim të rindërtimit të pjesëve që kishin pësuar djegie e ato që ishin dëmtuar rëndë.

Në raportin e vizionimit të hartuar nga “EC Ma Ndryshe” shkruhet se më 2012 kishte nisur intervenimi në trasenë e rrugës qendrore të Çarshisë ku kalldrëmi u zëvendësua me beton dhe u kërkua të ndalohen punimet. Ishin organizuar edhe protesta. Nisma e fundit e ndërmarrë në këtë drejtim ishte projekti i iniciuar nga Komuna e Gjakovës për të cilin ishte konstatuar se nuk përkonte me parimet e përcaktuara nga Ministria e Kulturës.

Në vitin 2015, fondacioni “Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Kosova” në bashkëpunim me institucione lokale e qendrore kishte hartuar projektin “Hartimi i Strategjisë për Rifunksionalizimin e Çarshisë së Madhe të Gjakovës”.

Nga të dhënat në raport bëhet e ditur se Çarshia e Madhe e Gjakovës numëronte mbi 500 struktura ndërtimore, në kuadër të të cilave lindën dhe u zhvilluan shumë zeje, duke përfshirë këtu terzitë, kujunxhitë, furragjitë, kundraxhitë, kallajxhitë, kutixhitë, jorganxhitë dhe shumë zeje të tjera.

Në Çarshinë e Madhe spikatej ndarja e prodhimtarisë së zejeve sipas principit të zonimit të aktiviteteve. Kështu në pjesën lindore të Çarshisë ishin të pozicionuar përpunuesit e mëndafshit, të veshjeve dhe të kopsave, ndërsa në anën jugore vepronin orëpunuesit dhe argjendarët. Në pjesën jugore të kompleksit, në të dy anët e dyqaneve gjendeshin zejet si: jorganxhinjtë, gëzofxhinjtë, briskpunuesit, armëpunuesit, qilimtarët dhe bakërpunuesit.

Në dokumentin për vizionimin e Çarshisë, që është i qasshëm online, shkruhet se karakteristikë e Çarshisë ishte “Rruga e Kutixhinjve”, në të cilën ishin të pozicionuar të gjithë zdrukthëtarët, sipas “EC...”.

Në prezantimin e kësaj organizate shkruhet se “EC Ma Ndryshe” angazhohet për qëndrueshmëri ekonomike dhe qeverisje demokratike në nivel lokal dhe jo vetëm. Kjo përmes mobilizimit të komunitetit, mbikëqyrjes së vendimmarrjes publike dhe partneritetit në zbatim të programeve dhe politikave zhvillimore.

Në Vizionimin e hartuar nga ta për Çarshinë e Madhe në Gjakovë, shkruhet se fluksi zhvillimor i monumentit pësoi rënie me zhvillimin e industrializmit dhe me pakësimin e nevojës për prodhimet artizanale.

“Venitje e aktivitetit zhvillimor u shënuan në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, kur zhvillimi ekonomik i Gjakovës u koncentrua në hapjen e fabrikave dhe në promovimin e zhvillimit industrial”, shkruhet aty.

Goditjet e fundit Çarshia e Madhe e Gjakovës i pësoi në periudhën e pas luftës së fundit në Kosovë (1999), kur me gjithë investimet për rikonstruktimin e saj u bë shumë pak në drejtim të promovimit të bizneseve dhe aplikimit të lehtësirave për operimin e tyre, duke lënë në këtë mënyrë dyqanet dhe rrugët e Çarshisë të mbyllura.

Folegj: Imazh nga dokumenti “Vizionimi i Çarshisë së Madhe në Gjakovë”



Të ndryshme
Më shumë