TV LIVE
Kuriozitete
2 February 2024
Në kongresin e Lushnjes të gjithë me revolver, Ahmet Zogu me 100 matjanë!

Më 31 janar 1925, Ahmet Zogu u zgjodh president. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, më 21 janar të atij viti, datë që ka hyrë në analet e historisë, u vendos për formën e republikës së parë shqiptare.

Pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit, Asambleja Kushtetuese u mblodh për ta shpallur Shqipërinë, Republikë Parlamentare. Për detyrën e kreut të shtetit u zgjodh Ahmet Zogu. Forma e re e qeverisjes së vendit u përligj përmes miratimit të Statutit të Republikës Shqiptare nga Asambleja Kushtetuese, në mars të vitit 1925. Statuti sanksionoi konsolidimin e pavarësisë dhe jetësimin e parimeve demokratike kushtetuese. Po ashtu, në Statut ligjëroheshin parimet dhe liritë demokratike, sikurse janë ndarja e pushteteve dhe liritë e të drejtat e njeriut.

Një arritje e madhe e kohës ishte miratimi i Kodit Penal. Mandati i presidentit të Republikës ishte 7-vjeçar. Kjo formë republikane e qeverisjes zgjati deri në shtator të vitit 1928. Në Kongresin e Lushnjës u ftua të merrte pjesë si delegat i Matit. Ndryshe nga delegatët e tjerë të cilët shkuan atje me revolver në brez ose me 2-3 trima të armatosur, Zogu mori me vete në Lushnjë 100 matjanë kurse 200 të tjerë i la në Tiranë. Kongresin e garantoi me besnikët e tij matjanë. U caktua Ministër i Brendshëm, për arsye se, e kishte të mundur ta krijonte brenda disa ditëve xhandarmërinë duke rekrutuar “vullnetarët” e tij.

Xhandarmëria me të cilën kishte lidhje personale, që nga ky moment, u bë pikënisje e forcimit të pushtetit të tij personal. Ai shtoi radhët e saj me anë të miqve të vet. Pati suksese në vendosjen e rendit publik dhe në organizimin brenda disa javëve të administratës shtetërore në gjithë vendin. Më 20 shkurt 1920, bëri t’i dorëzohen arkivat nga Qeveria e Durrësit dhe marsin vijues, hyri në Shkodër me Hoxha Kadrinë, duke e marrë në dorëzim të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjes. Si Ministër i Brendshëm dhe komandant i fuqive shtetërore, u angazhua në Luftën e Koplikut. I lindur në gjirin e një oxhaku derebejsh, Zogu qe aktiv në ngjarjet e vendit që në moshë të re.

Në krye të matjanëve u nis të ndihmonte qëndresën në mbrojtje të Shkodrës gjatë Luftës së Parë Ballkanike, më tej gjatë Luftës së Parë Botërore luftoi përkrah ushtrisë austro-hungareze që kishte pushtuar dhe administronte një pjesë të territoreve shqiptare. U syrgjynos prej autoriteteve të tyre ushtarake në Vjenë ku fitoi përvojë. Pas Kongresit të Lushnjes drejtoi ministri dhe iu besua formimi i një kabineti. Në 1924, u dëbua në mërgim pas kthesa demokratike e Lëvizjes së Qershorit. Por, u kthye pas gjashtë muajve i mbështetur nga britanikët, jugosllavët dhe një njësi të ushtrisë cariste. U rivendos kryeministër për pak kohë, më pas u vendos republika i së cilës u caktua president.Më 1928 Shqipëria u shpall mbretëri dhe Zogu mbret i saj. U martua me konteshën Geraldina Appony, së bashku patën një djalë, Lekën. Pas 1924, me dy paktet e Tiranës varësia fiskale e Shqipërisë ndaj Italisë u rrit duke kushtëzuar disa vendimmarrje të brendshme, por duke lehtësuar presionin e fqinjëve ballkanikë. Më 1928, u miratuan kodet e rëndësishme ligjore për modernizimin dhe laicizimin e shtetit shqiptar. Përpjekja për shkollimin e të rinjve u rrit, duke themeluar gjimnaze të forta shtetërore si ai i Shkodrës dhe i Tiranës, duke u mundësuar disa bursa për studime kryesisht në Austri, Itali dhe Francë. Kriza e viteve ’30 e ngadalësoi ndjeshëm ecurinë e përpjekjeve modernizuese. Pas pushtimit italian e shkoi jetën e tij në mërgim, sa në Greqi, Turqi, Angli, Egjipt, Shtetet e Bashkuara dhe Francë ku ndërroi jetë.



Të ndryshme
Më shumë