Bari, Itali 1992. Sapo kisha mbërritur, 18 vjeçare, nga Shqipëria në këtë qytet bregdetar italian. Nuk ishte hera e parë absolute në fakt, që vija këmbët në këtë qytet, që jo vetëm më dukej se e njihja prej një jete e, në distance, që prej Shqipërisë nga bregu tjetër, ngaqë në Bari, jetojnë të gjithë të afërmit italianë, të babait tim, tezet, kushërinjtë e, i gjithë fisi i tyre, me të cilët, ne kishim kontakte kur jetonim në Shqipëri por, edhe për faktin se aty, pata shkuar për herë të parë me gjyshen si turiste e, pata ndenjur një muaj ,në 1989-ën. Pata shkuar edhe vetëm në ’91-shin, gjithnjë te të afërmit tanë italianë. Ndaj dhe e pata njohur e shëtitur mirë qytetin dhe disa provinca.
Me të arritur kësaj radhe, jo më si turiste, por si familje me origjinë italiane e të riatdhesuar nga Shqipëria, morëm një shtëpi me qira, m’u në qendër të qytetit.
Shtëpia ishte e mobiluar, ndaj unë fillova të mendoja për kompletimin e saj dhe isha në fazën që më duhej gjithçka, si; perde, mbulesa, çarçafë, peshqirë, etj. Në Bari, ishte zakon që fqinjët, si njerëz të dashur e të afrueshëm, të të qëndronin pranë ty, si banore e re dhe të të shoqëronin nëpër qytet, për të gjetur dyqane apo, për të njohur çdo cep të qytetit, për tregje e çfarëdo nevoje, që të kishe.
Atëherë, duke e marrë vesh fqinja e moshuar bareze, për mbulesa e peshqirë që më duheshin, më tha:
“Të këshilloj një dyqan të mirë, që shet pajisje e sende për shtëpinë, është shumë i furnizuar. Ndodhet dy hapa larg, nga pallati ynë. Por, një arsye më tepër, për të cilën të këshilloj të shkosh të bësh aty blerjet, është se qarkullojnë fjalë, se pronari i atij dyqani është shqiptar”!
Unë aq desha.
Si parantezë, gazetaria ishte pjesë e brendshme e imja, që para se të mbërrija në ’92-shin në Bari, pasi jo vetëm që shkruaja për pasion që e re, por, që në ’90-ën, isha e pranishme në gazetën “Tirana”, me përkthime.
Qeshë në këtë drejtim, si të themi, “e parakohshme” në aktivitetet në fjalë, pasi në gazetë, në firmën e famshme të kohës “Iliria Holding”, si përkthyese dhe në Pallat të Pionierëve, si mësuese e gjuhëve të huaja, punoja që 16 vjeçe, në Tiranë.
Por, isha shumë kurioze dhe gazetaria investigative, dukej se më tërhiqte në veçanti…!
Ndaj nuk humba kohë dhe të nesërmen dola nga shtëpia me një vrull e me një dozë të fortë kurioziteti, për t’iu drejtuar dyqanit me pronar, një shqiptar të moshuar!
Ishte viti ’92, valët e emigracionit shqiptar, sapo kishin nisur, demokracia në Shqipëri, e brishtë, sapo kishte hyrë, ndaj në mendjen time, u krijua menjëherë, “identikit”-i i pronarit shqiptar, të atij dyqani në Bari.
Ai duhej patjetër të ishte një i arratisu,r nga koha e regjimit komunist!
Dyqanin e gjeta menjëherë.
Ishte i vetmi i asaj tipologjie “Biancheria per la casa e Merceria” (“Veshje për shtëpinë dhe Kinkaleri fijesh qepjeje”) në rrugën tonë.
Rrugë shumë e gjatë në fakt, ajo e jona.
U futa brenda dhe kërkova në mes të rafteve e sergjeneve pafund, të stërmbushur me mall deri në tavan, pronarin.
Mua, për kuriozitetin tim – e sensin investigues të brendshëm – më tepër sesa perde, mbulesa e peshqirë, më interesonte të njihja pronarin shqiptar dhe historinë e tij të emigrimit nga Shqipëria!
Raftet ishin plot, të tejmbushur me mall dhe ndërtesa e dyqanit ishte nga ato antiket, karakterizohej nga mure shumë të lartë, të paktën 3 m.
Ndaj, dyqani në impakt të parë m’u duk shumë misterioz. Dera ishte e hapur por, brenda nuk dukej asnjeri. Ishte pak errësirë dhe një farë lagështire ndihej në ajër.
“A ka njeri këtu”?! – fola italisht.
“Buongiorno, in cosa posso esserle utile”?! (“Mirëdita, me çka mund t’ju shërbej?”- u dëgjua një zë që vinte nga…tavani!
Ishte një burrë i moshuar, i dobët në trup, që zbriste dalëngadalë shkallët, te të cilat ishte ngjitur për të sistemuar mallin në ndarjet e sipërme të rafteve.
“Ah, buongiorno”! – iu përgjigja.
Dhe me vete e kuptova që ai, ishte pronari, dora vetë! Megjithatë, për siguri e pyeta nëse ai ishte pronari i dyqanit. Natyrisht që “po! – më tha.
“Mi servono delle tende per la casa, lenzuola, tovaglie ed asciugamani e mi hanno consigliato il suo negozio!”
(Më duhen perde, çarçafë, mbulesa dhe peshqirë e më kanë këshilluar dyqanin tuaj!)
Pronarit iu bë qejfi, për faktin se po haste një kliente të re dhe për reputacionin e mirë të dyqanit të tij, në atë lagje të qytetit. Bëri një buzëqeshje të lehtë nën buzë, për këtë sodisfaksion, si tregtar i vjetër i pasionuar, ndaj aktivitetit të tij.
Më solli mbi banak disa artikuj.
Por, pas pak, unë “e hoqa maskën” si të themi – mezi po e prisja atë moment – atë të të folurit italisht, gjuhë që flisja që fëmijë në Shqipëri, prej gjyshes italiane dhe iu drejtova shqip:
“Më pëlqejnë këto mbulesa, këto peshqirë, ndërsa këto këtu, nuk më pëlqejnë, për nga ngjyrat edhe aq…!”
Pronari i moshuar u mpi!
Ngriu në vend, kur më dëgjoi t’iu drejtoja shqip!
Unë vazhdova: “Ju më kuptoni mirë besoj shqip. Ju jeni shqiptar, unë e di…”?!
Vijoi një çast heshtjeje, gati-gati, të frikshme.
Pasi ai nuk po reagonte më, e nuk po më fliste më, as shqip e, as italisht!
Nga një anë, u pendova disi për invadencën time.Por, nga ana tjetër – pak edhe mosha e re e, shkujdesja tipike…- mendova se fundja, ç’të keqe kishte! Ka pasur edhe emigrantë shqiptarë, të përmalluar për vendin e vet, që mezi prisnin t’u flisje shqip nëpër botë, apo jo…?!
Ai zotëri ishte rreth të shtatëdhjetave.
I dobët e i pafuqishëm, i veshur në mënyrë të shkujdesshme, gjë që më bëri të mendoj se jetonte i vetëm e nuk kujdesej as për aspektin e vet.
Pasi iu deshën pak minuta për të përpunuar disi situatën e, për të mbledhur veten nga ana emocionale, nga surpriza, m’u përgjigj shqip:
“Sigurisht që të kuptoj mirë në gjuhën tonë! Unë jam shqiptar! Po, po habitem pak se, jo gjithkush në këtë lagje, e di se unë jam shqiptar. Ku të paska qëlluar ty, ky informacion…”?!
Unë, aq desha.
Ia arrita qëllimit, që ta bëja të fliste shqip, sepse fqinja e moshuar bareze, që më adresoi te ai, më pati paralajmëruar, që ai ishte tip shumë solidar. Nuk hapej me askënd e, nuk kishte as shokë.E pyeta: “Ti je i arratisur, apo jo”?!
– “Po”!- më tha.
– “Jam arratisur në 1949-ën.
Isha shok me një disident dhe bëja pjesë në të ashtuquajturin “Grupi X…”!
Po të mos isha arratisur, do të kisha pësuar fundin e tij…”!
Më tha dhe emrin e mbiemrin e vet. Fliste shqip, me theks korçar.
Tregonte me ndërprerje, me ankth e frikë.
I thashë: “Mbaroi gjithçka, në Shqipëri hyri demokracia…”!
Për t’i lënë të kuptonte, që s’kishte më arsye, pse të kishte frikë.
Por, atij i kishte hyrë frika në palcë.
Dridhej edhe kur fliste shqip.
Madje, kuptova që u pendua keq që më foli shqip e, më tregoi këto gjëra.
Unë bleva disa artikuj nga ai, e dola nga dyqani.
Pas disa ditësh, po kaloja para dyqanit të tij, sepse aty më binte rruga, për t’u kthyer në shtëpi.
U futa në dyqan, thjesht për ta përshëndetur. Pasi, si të themi, më kuriozoi jeta e tij por, edhe m’u dhimbs, për mënyrën sesi pati reaguar në vetë rrëfimin e tij të ditës së mëparshme.
Ai, sapo më pa, sikur pa ndonjë fantazëm.
Më përshëndeti italisht.
Shqipen, çuditërisht e kishte harruar…!
/Nga Adela Kolea - Memorie.al