Mjegulla e kohës ka rënë mbi një prej figurave pak të njohura të fotografisë shqiptare, Kolë Macës. Vepra e tij emblematike mbetet fotoja “Gjon Pali dhe e bija”. Por, si u gjet fotografia dhe çfarë paraqet ajo?
Ka qenë Qerim Vrioni që gjeti fillimisht dy foto të Kolë Macës: funerali i rivarrimit të Ismail Qemalit më 1919 dhe tjetra disa gra fshatare të ngarkuara me dru. Pastaj fijet çuan në albume, organe shtypi, sidomos në revistën “Minerva” ku Maca kish bashkëpunuar për disa kohë si fotoreporter. Aty u gjetën fotoreportazhe, pasqyrime të ngjarjeve shoqërore, politike dhe historike të kohës, po ashtu edhe portrete, shkrepje çasti etj.
Nga hulumtimi i mëpasëm u gjet fotoja që paraqet një vajzë përkulur mbi të atin e plagosur që po jepte shpirt (në një faqe të shtojcës kulturore La Domenika del Corriere të gazetës së njohur italiane Corriere della Sera, brenda një shkrimi me titull La fine dell Guerra Balcanika). Në fund shënohej emri i autorit [fotografia është realizuar në vitin 1913].
Më vonë fotoja u pikas në kopertinën e jashtme dhe në faqen 133 të një libri botuar në Itali me titullin L’assedio di Scutari (Rrethimi i Shkodrës) të gazetarit Xhino Berri. Fotografia tashmë përmendet sa herë analizohet tema e vdekjes dhe pasvdekjes në artin pamor botëror dhe atë shqiptar.
Është ekskluzivitet që meriton vëmendje e kujdes, si një vepër rangu e pjace të lartë arti ku dramatikja ngërthehet me estetiken
“Nuk ka sesi të përjashtohet krejtësisht mundësia e njohjes së drejtpërdrejtë të Kolë Macës me Gjon Palin, edhe pse ky mbante veshje të malësive të Shkodrës (zona e Shllakut), ndërsa fotografi ishte qytetar. Kështu, Maca i është gjendur në çastet e sosjes së jetës dhe e ka fotografuar, edhe duke ia përjetësuar portretin në letër. Ndoshta nga miqësia (kësisoj edhe nga dobësia e dhembshuria) midis tyre, ai nuk e ka quajtur të shuar, por të plagosur që do të shuhet së shpejti ose që po shuhet”, shkruan Vrioni, duke shtuar: “Vijojmë më tej me këqyrjen e hollësishme të fotos. Duke vërejtur duart e të plagosurit dallohet në to një rruzare (shih pjesën me rreth – zakonisht mban një kryq), të cilin e mbajnë katolikët kur thonë një falje për mëkatet. Sipas fjalorëve të gjuhës shqipe, ajo u vihet edhe atyre që po shuhen, përgjithësisht në mungesë të priftit, për të falur mëkatet, siç mund të jetë edhe ky rast. Rruzarja tregon se mbajtësi i saj nër duar po vdes (në mos ka vdekur pak çaste përpara fotografimit)”.
Një tjetër argument praktik që mbështet versionin se luftëtari Gjon Pali nuk është fotografuar në këtë jetë, por pasi është ndarë përfundimisht nga kjo botë, qëndron edhe tek veshja me ngjyrë plotësisht e zezë e të bijës – shamia e jazit (e vdekjes). Shqiptarët kanë qenë përherë tepër të vëmendshëm që rrobat e zeza (të zisë), gratë, ndonëse të përgatitura, të mos i vishnin pa u siguruar fare mirë se njeriu i tyre që ishte në agoni, kishte mbyllur sytë përgjithmonë (kjo do të përbënte me siguri një gjynah për myslimanët ose një mëkat për të krishterët). Duke e këqyrur foton nga një këndvështrimi tjetër, shënojmë se si rregull i vdekuri rrethohet nga të gjitha anët me gratë e familjes, të fisit ose të krushqive, ndërsa në foton tonë nga e majta e të shtririt qëndron vetëm e bija, mbase mungesa e hapësirës lejon vetëm atë të qëndrojë te koka e tij.
Pra, mos kemi një inskenim?
Sipas traditës së Malësisë për kësi rastesh (për luftëtarë), I vdekuri vishet me petkat më të bukura, me armë në brezë e të krahut ngjat vehtes (Bota shqiptare, Tiranë, 1943, f.30), ndërsa malësori i fotos ka ende të veshur këmishën e çasteve të plagosjes. Ndoshta nuk kanë pasur kohë për ta rregulluar të afërmit sipas zakonit? Po armë pse nuk i kanë vendosur nër duar, kur dihet se ai ka qenë luftëtar (e përsërisim, plagët e marra në luftë – shkruan gazeta)?
Përkundrazi i kanë venë në duar rruzare. Mundet që të afërmit nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme ose fotoja mbase është bërë para rregullimit të fundit.
Fotoja apo tabloja dramatike tregon një njeri të vdekur apo gjysmë të vdekur. Natyrisht që nuk e ndjen veten mirë shpirtërisht, por shumë shpejt nga kjo gjendje të nxjerr një qendër tjetër gravitacionale, shumë herë më e fuqishme se sa drama, që është arti. Atëherë ndalesh dhe lëçit me kujdes detajet artistike, stilistike, në këtë rast dritën dhe hijen dhe më tej mesazhin që përcjell vepra, vlerën dokumentare të një periudhe të tërë historike që ajo përmban etj.
Kjo foto futet në disa gjini, ku më shumë e ku më pak ose më ndryshe disa gjini të fotografisë kanë pjesë në të. Më e rëndësishmja qëndron në faktin se ajo lind ndjesi të veçanta estetike te shikuesi.