Fatos Kongoli i ftuar në “Quo Vadis” në Vizion Plus të moderatores Pranvera Borakaj, ka rrëfyer një nga momentet më të vështira të jetës së tij.
Kongoli rrëfeu se pas botimit të romanit “Iluzione në Sirtar” ndaj tij pati një “lumë” kritikash por edhe llumi të hedhur nga persona të ndryshëm në rrjetet sociale.
Ai rrëfeu se u qetësua vetëm pas një e-maili që i erdhi nga Gresa Kadare, vajza e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.
Pjesë nga biseda:
Pranvera Borakaj: Dy libra në të cilën ju keni folur imtësisht për jetën tuaj, “Iluzione në Sirtar” dhe “Kapitulli i Amerikës”, sa i lehtësuar u ndiet pasi e përfunduar dhe pasi doli në botim “Iluzione në Sirtar”?
Fatos Kongoli: “Iluzione në Sirtar”, kam kaluar periudhën më të vështië të jetës time, sepse unë pohoja gjëra të jetës time personale, që u shtrembëruan, u nxorën nga e vërteta, dhe u sulmova shumë. Atëherë pashë se nuk e dija që kisha patur kaq shumë armiq. U sulmova me një lloj ligësie të paimagjinueshme në këto rrjetet sociale. Vetëm mbaj mend që në atë zallamahi ku unë paraqitesha me çfarë ngjyre të duash ti, kam marrë një e-mail, që nuk e harroj as sot e kësaj dite, që e kam marrë nga Gresa Kadare.
Pranvera Borakaj: Çfarë shkruhej në të?
Fatos Kongoli: Ajo shkruante që mos ja vër re se ç’thotë filani, ishte një që mbante veten si shkrimtar, më kishte sulmuar në një mënyrë të paimagjinueshme.
Pranvera Borakaj: E kishe menduar më parë që do të kishe një sulm të tillë?
Fatos Kongoli: Kisha menduar që do kishte probleme, por më kishin sulmuar barabarisht. Kur më erdhi e-mail isha në Amerikë dhe ishte shumë lehtësues për mua. Ishte nga Gresa por sigurisht që aty kishte dorë edhe vetë Kadareja, ma merr mendja.