Cila është kostoja e Inteligjencës artificiale?
Ritmi i përparimit në inteligjencën artificiale është tepër i shpejtë. Nëse nuk keni ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj grupeve si Deepmind, nuk e keni idenë se sa shpejt – po rritet me një ritëm afër eksponencial. Rreziku që të ndodhë diçka seriozisht e rrezikshme është në harkun kohor pesëvjeçar. Maksimumi 10 vjet!
Mendja e ndritur e Elon Musk, këtë parashikon, asgjë më shumë e asgjë më pak.
Diku në Silicon Valley gjithsesi, djepin botëror të botës së teknologjisë, zhvillon aktivitetin e saj, një tjetër mendje e rrallë e ndritur e botës AI.
Ajo është 35-vjeçare, e flet anglishten pa u diktuar se në realitet ka lindur në Vlorë. Dikur ajo ka punuar për Musk në Tesla dhe ka zhvilluar sistemin e pilotit automatik të mjetit elektrik më emblematik në botë.
Në Evropë pak e njihnin. Në Shqipëri jo e jo! Prej fillimit të vitit bota shqiptare ishte e zhytur në show bizz banal (siç me gjasë do të jetë edhe këtë vit), në pseudo-estetika bustesh e të pasmesh, përfshi edhe politikën tallava, që u frymëzua prej suksesit të tyre.
Albanian Post nga ana tjetër, ashtu siç kishte folur për mendimin filozofik të Lea Ypit, që po e lartësonte Shqipërinë, kishte filluar të ndiqte edhe mendjen brilante të një ylli në rritje në fushën e Inteligjencës Artificiale, shqiptaren Mira Murati.
Shefi i kompanisë gjigande të zhvillimit të teknologjisë së sisteme operative Microsoft, Satya Nadella, shkruante për të se ka treguar një aftësi të jashtëzakonshme për të mbledhur ekipe me ekspertizë teknike, nuhatje komerciale dhe me përulësi të madhe ndaj rëndësisë së misionit.
“Prandaj, Mira Murati ka ndihmuar në ndërtimin e disa prej teknologjive më frymëzuese që kemi parë ndonjëherë, duke përfshirë ChaGPT, DALL-E dhe GPT-4”.
Ajo është shefja e teknologjisë në kompaninë OpenAI, pionere në Inteligjencën Artificiale dhe rivale e drejtpërdrejtë me Google. Mbështetet fuqimisht nga Microsoft.
Pati një sagë “simpatike” dhe plot mësime Open AI në prag fundviti.
Shefi i përgjithshëm i kompanisë, Sam Altman, u shkarkua në mënyrë spektakolare me një vendim të fshehtë bordi.
Brenda 24 orëve, bordi vendosi Mira Muratin si shefe të përgjithshme të OpenAI.
Por, Mira njihet si krahu i djathtë i Altman dhe ajo është shqiptare. Me besën e dhënë për besnikëri ndaj Altman, i doli bordit kundër dhe kërkoi rikthimin e tij në kompani.
“Open AI janë njerëzit që punojnë për të”, shkruante ajo në Twitter.
Dhe u shkarkua brenda 24 orëve…
Mira Murati nuk është thjesht një shkencëtare ambicioze në fushën më të larmishme ku mund të hulumtohet kohëve të fundit. Ajo është një “krijesë” e jashtëzakonshme lidershipi, me këmbë në tokë dhe me qëllime të qarta jo personale, por globale.
Ajo e kishte nuhatur prej kohësh dhe e mbart si bindje: Altman është njeriu që duhet të drejtojë OpenAI dhe ajo operacionet e kompanisë, jo e kundërta. E ka kuptuar kahera potencialin e vërtetë të saj dhe se ku shkëlqen më së shumti.
Morali? Në një vendim po aq spektakolar, bordi i OpenAI u dorëhoq dhe Sam Altman u rikthye në krye të kompanisë, me Mirën në krahun e tij të djathtë.
S’ka kaluar shumë kohë në fakt që kur Mira Murati u bë pjesë e listës së “Grave të Vitit” – atyre më me ndikim në botë – në numrin e përvitshëm të prestigjiozes “Financial Times”.
Shefja e teknologjisë e kompanisë OpenAI është në krye të transformimit të thellë digjital.
Produktet novatore të OpenAI, ChatGPT dhe Dall-E, kanë rrëmbyer imagjinatën e botës dhe do të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si punohet, mësohet dhe shprehet.
Ndërkohë, udhëheqja vizionare e Mirës shtrihet përtej shkencës dhe kërkimit të modeleve të mëdha gjuhësore në dizajnimin se si të inkorporojmë AI-në në jetën tonë të përditshme, si dhe si të zhvillojmë AI-në me përgjegjësi në lidhje me sigurinë dhe rregulloren.
Historia dhe lidershipi i saj janë po aq frymëzues sa teknologjia që përcakton të ardhmen që ajo mbikëqyr.
Edhe më herët, revista “Fortune” ka nderuar punën e saj, duke e vendosur në kopertinën e listës së “Grave më të Fuqishme në Biznes”.
ChatGPT arriti 100 milionë përdorues aktivë mujorë në vetëm dy muaj dhe ka shkaktuar një revolucion të plotë teknologjik në më pak se një vit.
Dhe ndikimi i Mirës në OpenAI, që tani vlerësohet në afro 30 miliardë dollarë, është i jashtëzakonshëm.
Murati ishte një nga katër personat që themeluan OpenAI.
Përveç saj dhe Altman-it, grupi përfshin Ilya Sutskever, shkencëtarin kryesor, i cili ra nga froni për mbështetjen e shkarkimit të Altman-it, dhe Greg Brockman, president i kompanisë.
Murati i qëndroi besnike mikut të saj kur u pushua nga puna: pavarësisht se u zgjodh si shefe ekzekutive e përkohshme, ajo iu bashkua letrës së nënshkruar nga 95 për qind e stafit të kompanisë që kërkonte rivendosjen e Altman si kreu i OpenAI, duke kërcënuar në të kundërt se do të pranonte ofertën e Microsoft për t’i punësuar të gjithë.
Mira ka një diplomë në Inxhinieri Mekanike nga Kolegji Dartmouth, universiteti amerikan ku lindi disiplina e AI-së.
Para se të bëhej pjesë e OpenAI, ajo ishte një analiste në Goldman Sachs, një inxhiniere në kompaninë franceze të hapësirës ajrore Zodiac Aerospace, një menaxhere produkti në Tesla, ku mbikëqyrte Model X dhe zëvendëspresidente e produktit në Leap Motion, një kompani e realitetit virtual.
Në vitin 2018, ajo bëri hapin drejt OpenAI sepse njohuritë e saj e bënë të mendonte se AI e përgjithshme ishte afër të bëhej realitet.
Dhe ajo donte të ishte pjesë e zhvillimit.
Përveç drejtimit të ekipit të zhvilluesve, Mira ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e ChatGPT: duke kontrolluar që chatbot-i të mos jetë i njëanshëm dhe të mashtrojë njerëzit.
Sakaq, Mira është e vetmja grua e rangut të lartë në OpenAI.
Arritjet e saj në botën e teknologjisë, mbi të gjitha në këtë moshë dhe mbi të gjitha në të qenit grua, do të ishin ëndrra e çdo studenti të dalë nga universitetet më serioze botërore.
Por, Mirën nuk e bën diploma, as pozita.
E bën çuditërisht e vetmja gjë që AI nuk e ka: Njeshmëria njerëzore.
Ajo është kudo ku duhet të jetë, në çdo kohë kur nevojitet, në secilën rrethanë që paraqitet, me këndvështrimin e duhur dhe origjinal, që e ka kthyet në emrin e vendosur përpara prozhektorëve.
Ajo është jo vetëm shkencëtarja e vitit në botën shqiptare, në mënyrë të padiskutueshme, por ndoshta edhe ndër mendjen më brilante të mijëvjeçarit të ri në botën teknologjike.