TV LIVE
Sport
15 December 2023
Eliminimi i Ballkanit nga Conference League, Ilir Daja: Bëmë një rrugëtim historik për futbollin mbarë-shqiptar

Ballkani nuk arriti të bëjë mrekullinë në Zagreb përballë Dinamos dhe e mbylli në vendin e fundit me katër pikë fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Në stadiumin “Maksimir” kampionët ne Kosovës u mbajtën mirë për pjesën më të madhe të kohës, duke shpresuar se mund të bënin befasinë në këtë transfertë, por ëndrra për kualifikim u venit brenda pak minutash në pjesën e dytë (69’, 72’, 76’), duke pësuar tre gola.

Në pjesëmarrjen e dytë radhazi në Ligën e Konferencës, skuadra e Ilir Dajës ndalet që në fazën e grupeve, me gjithë dëshirën e madhe që shfaqi në gjashtë ndeshjet e kësaj faze për të bërë një hap më cilësor në kupat e Europës.

“Kemi bërë një rrugëtim historik për herë të dytë për futbollin mbarë-shqiptar. Kur fiton dy herë titullin kampion, Superkupën e Kosovës dhe shkon dy herë në grupet e Ligës së Konferencës dhe luan si i barabartë me kundërshtarët, është gjë e bukur. Me kundërshtarët kishim diferenca të mëdha, përveçse në anën sportive.

Me daljen e Gripshit dhe mospraninë e Kryeziut, dy lojtarë që bëjnë diferencën në sulm, dhe me ndërrimet e parakohshme, vjen një moment nga goditja standarde dhe e pëson,” tha pas ndeshjes Ilir Daja.

Në takimin tjetër të Grupit C, Victoria Plzen mposhti me të njëjtin rezultat 3-0 Astanën, me këtë të fundit që ia merr vendin e tretë Ballkanit falë rezultateve në ndeshjet e drejtpërdrejta.



Të ndryshme
Më shumë