OKB-ja paralajmëroi edhe një herë seriozisht për situatën e civilëve në Ukrainë. Gjendja pritet të ashpërsohet nga dimri dhe ngricat.
Sipas OKB-së rreth 40 përqind e popullsisë së Ukrainës, 18 milionë vetë, kanë nevojë për mbështetje humanitare. Prandaj shefi koordinues i Zyrës së OKB-së për Çështjet Humanitare (OCHA), Ramesh Rajasingham kërkoi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që megjithë luftën midis Izraelit dhe organizatës militante islamike palestineze Hamas, nuk duhet të harrohet "nevoja e madhe" për ndihmë që ka Ukraina.
Gjendja më e rëndë në zonat e pushtuara nga Rusia
Për shkak të dëmtimit masiv të infrastrukturës thelbësore të vendit, popullsia civile vazhdon të jetë e prekur nga kufizimet për energjinë elektrike, ngrohjen, furnizimin me ujë dhe shërbimet e komunikimit, tha Rajasingham, duke cituar koordinatorin e ndihmës emergjente të OKB-së, Martin Griffiths. Duke pasur parasysh ngricat e forta që priten në dimër situata është "jashtëzakonisht shqetësuese”.
Shefi koordinues i Zyrës së OKB-së për Çështjet Humanitare, Ramesh RajasinghamFotografi: Richard Tiéné/DW
Veçanërisht shqetësuese është Situata e rreth katër milionë banorëve në zonat e pushtuara nga Rusia në rajonet e Ukrainës Donjetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson.
Rreth 40 përqind e popullsisë së Ukrainës kanë nevojë për mbështetje humanitareFotografi: Mykola Miakshykov/Avalon/Photoshot/picture alliance
Zyra e OKB-së për Çështjet Humanitare (OCHA) "nuk mund t'i arrijë njerëzit atje në masën e duhur," tha Rajasingham. Në këtë kontekst ai vuri në dukje se të gjitha palët në luftë janë të detyruara sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare të lejojnë "qasje të shpejtë dhe të papenguar" për dërgimin e ndihmave për civilët në nevojë.