TV LIVE
Nga Rajoni
29 September 2023
Familjarët e tre sulmuesve të vrarë gjatë përleshjes së armatosur në Banjskë kërkojnë të marrin trupat e pajetë

Familjarët e tre sulmuesve të vrarë gjatë përleshjeve të armatosur në Banjskë të Zveçanit janë interesuar që të marrin trupat e tyre.

Nga MD-ja thanë se është kryer autopsia për të tri trupat e pajetë, por ato po qëndrojnë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, “në kushte adekuate deri sa të lirohen nga Prokuroria”.

Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur dhe i maskuar, që sipas autoriteteve ishte i përbërë prej 30 personash.

Në sulm u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe më pas autoritetet bënë të ditur se në përleshje mbetën të vrarë edhe tre sulmues.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë, që Kosova e konsideron sulm terrorist.

Avokati i tij, Goran Petronijeviq, lexoi letrën e Radoiçiqit ku thuhej se ai kishte bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.

“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të [të kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terrori”, tha Radoiçiq, sipas letrës.

Më herët, autoritetet në Kosovë kanë publikuar dëshmi, sikurse një video të incizuar me dron, ku shihej Radoiçiqi i armatosur dhe i veshur me uniformë në Banjskë.

Kosova, përmes një rezolute të miratuar në Kuvend, ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për Serbinë lidhur me rolin e saj në këtë sulm.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.



Të ndryshme
Më shumë