Kryeministri Edi Rama është i vendosur për të mos u tërhequr nga takimi “kokë më kokë” me kreun e qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, gjatë turit ballkanik në kuadër të “Procesit të Berlinit”.
Përmes një mesazhi në Twitter, në përgjigje të kërkesës së Kurtit për një takim të përbashkët të dy qeverive me qëllim firmosjen e marrëveshjeve të dakordësuara paraprakisht që kanë mbetur pezull, Rama tha se 13 marrëveshjet janë firmosur nga qeveria shqiptare dhe gjenden në Ministrinë e Jashtme të Kosovës.
Sipas kreut të ekzekutivit, me firmosjen nga ana tjetër të palës kosovare ato hyjnë në fuqi menjëherë. Pas hapave të ndërmarrë nga qeveria shqiptare për përmbushjen e shqetësimeve të ekzekutivit kosovar, Rama u shpreh shpresëplotë se Kurti do të mund të konfirmonte takimin “tet a tet” me të në orët që vijnë.
“Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi. Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”- shkruan Rama.
Turi dy ditor i kryeministrit në 6-7 Korrik përfshinë, Kosovën, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën. I paraprin mbajtjes të samitit për Procesin e Berlinit në Tiranë në tetor.
Pak ditë më parë kryeministri Rama deklaroi se Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Në këtë mënyrë ai lajmëroi fundin e nismës “Open Ballkan” në të cilën aktivisht ishin anëtarë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe që u pranua nga Mali i Zi, por jo Bosnja dhe Kosova.