TV LIVE
Nga Bota
12 June 2023
Ndërron jetë në moshën 86-vjeçare Silvio Berlusconi

Silvio Berlusconi ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane. Ish-kryeministri italian ndodhej i shtruar prej 4 ditësh në spitalin San Raffaele të Milanos, ku dhe ndërroi jetë. Gjendja e tij ishte e rëndë, ndaj mëngjesin e kësaj të hëne në spital kishin shkuar të gjithë fëmijët e ish-kryeministrit.

Themelues i Mediaset dhe Forza Italia, Berlusconi ishte një figurë sa e rëndësishme, aq edhe e diskutueshme në politikën italiane për më shumë se çerek shekulli.

Manjati mediave, Berlusconi erdhi për herë të parë në pushtet në vitin 1994 dhe drejtoi katër qeveri deri në vitin 2011. Ai udhëhoqi partinë e qendrës së djathtë Forza Italia, e cila hyri në koalicion me kryeministren Giorgia Meloni pas zgjedhjeve në Shtator.

Jeta politike e “Kavaljerit”

Përgjatë jetës së tij. Berlusconi u përball me dhjetëra procedime penale, që lidheshin me aktivitetin si sipërmarrës, atë në politikë, por edhe me jetën private. Problemet e tij me ligjin, ishin tema kryesore e aktivitetit të tij politik. Pjesa më e madhe e procedimeve u mbyllën me lirime nga akuzat dhe parashkrime, por në vitin 2013 ai u dënua përfundimisht për evazion fiskal.

Në fund të vitit 1993 dhe në fillim të 1994, krijoi ‘Forza Italia’, një parti personale e përbërë nga menaxherë të shoqërisë së tij, gazetarë, intelektualë dhe ish-politikanë nga partitë që i kishte të afërta. Në zgjedhjet e 1994-s u prezantua si aleat me ‘Lega Nord’ dhe ‘Alleanza Nazionale’.

Rrëmben një fitore suprizuese, megjithatë eksperienca e tij në qeveri zgjati pak. Berlusconi përfshihet në një hetim gjyqësor për punën e tij si sipërmarrës dhe dalin në dritë disa lidhje të dyshimta me krimin e organizuar, duke bërë që të humbiste mbështetjen dhe qeveria të binte në Dhjetor të atij viti.

Berlusconi rikthehet në qeveri 7 vjet më vonë. Kur në zgjedhje e 2011, aleanca e tij merr gati 50 përqind të votave. Nis kështu qeveria më jetëgjatë në historinë e Italisë republikane. Qeveria bie pas 4 vitesh, por vetëm për t’u zëvendësuar nga një qeveri e tretë Berlusconi, që çoi në fund legjislaturën.

Politikisht, Berlusconi prezantohej si konservator liberal në hapat e Ronald Reagan dhe Margaret Thatcher, por stili dhe gjuha që përdorte, shpesh ishin populiste, ndërsa mënyra e menaxhimit të mediave dhe pyetjet ndërkombëtare, i sollën shpesh kritika të shumta në Itali dhe jashtë saj. Gjatë viteve të fundit u bë gjithnjë e më shumë problematike marrëdhënia e tij e ngushtë me presidentin rus Vladimir Putin./tvklan.al

 



Të ndryshme
Më shumë