TV LIVE
Nga Bota
1 June 2023
Aleanca europiane kundër Rusisë takohet në Moldavi

Përveç Rusisë dhe Bjellorusisë të gjitha shtetet në Europë janë pjesë e Komunitetit Politik Europian që takohet në samitin e dytë në Moldavi. Në Kishinau Scholz e Macron do të bisedojnë me krerët e Kosovës dhe Serbisë.

akimi i së enjtes i 47 (01-06.) krerëve të shteteve dhe qeverive europiane në Castel Mimi, është një ditë e veçantë për Moldavinë: samiti nuk është vetëm sfida më e madhe logjistike për shtetin e vogël mes Rumanisë dhe Ukrainës. Ky samit do të drejtojë vëmendjen tek vendi i dytë më i varfër i Europës, i cili nga viti i kaluar mban statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.

Në Moldavi dendësohen të gjitha problemet politike, me të cilat ballafaqohen krerët e Komunitetit Politik Europian në takimin e vitit 2022. Qeveria në Kishinau i trembet një agresioni rus, në rast të dështimit të Ukrainës. Një pjesë proruse e vendit, Transnistria është shkëputur ndërkohë para 30 vjetësh, duke shpallur pavarësinë nga Moldavia dhe mbahet e pushtuar nga "trupat ruse të paqes": Megjithë këtë konflikt "të ngrirë" BE ka shprehur gatishmërinë për pranimin e Moldavisë dhe Ukrainës një ditë në BE.

Demonstratë proeuropiane në Kishinau, 21 maj 2023

Demonstratë proeuropiane në Kishinau, 21 maj 2023Fotografi: Vitalie Calugareanu/DW

Komunitet kundër Rusisë

Pikërish për këto çështje debatohet në samitin e dytë të Komunitetit Politik Europian: Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, zgjerimi i BE dhe bashkëpunimi i fuqizuar me të gjitha shtetet e tjera, veç Rusisë dhe Bjellorusisë së lidhur me të.

Sipas mediave në Kishinau do të diskutohen edhe tensionet në veri të Kosovës. Kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kurse kancelari Scholz dhe presidenti Macron pritet të zhvillojnë bisedime me krerët e Kosovës dhe Serbisë në Kishinau.

Pas samitit themelues në Pragë në tetorin e kaluar, vendet anëtare u shprehën se formati i ri politik është i vlefshëm. Kancelari gjerman, Olaf Scholz e quajti atë "inovacion" dhe lëvdoi në maj në takimin e Këshillit të Europës në Island, KPE si një forum i arrirë, pasi aty mund të diskutohet pa presion që të merren vendime zyrtare. Presidenti francez, Emmanuel Macron që e solli në jetë një format të tillë, bëri fjalë në Pragë madje për një instrument që pengon "luftërat qytetare, sëmundjet fëminore të një Europe të bashkuar."

Jo zëvendësim për anëtarësimin në BE

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka paralajmëruar që në takimin themelues, që Komuniteti Politik Europian të mos bëhet një sallë tjetër pritjeje për kandidatët e anëtarësimit në BE. Negociatat e anëtarësimit nuk duhet të preken nga ky format. Shqipëria, ashtu si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut negociojnë me BE, kurse Bosnje-Hercegovina është vetëm një kandidate për bisedime. Kosova dhe Gjeorgjia janë kandidate potenciale, akoma një hap më larg.

Kancelari Scholz kërkon të përshpejtojë procesin e ngadalshëm të anëtarësimit, këtë e theksoi Scholz në fjalimin e tij parimor para Parlamentit Europian në fillim të majit. Por për këtë nevojitet një reformë e vetë BE.

Ne samitin e Komunitetit Politik Europian janë ftuar edhe Turqia, si edhe Armenia e Azerbajxhani, që kanë probleme mes tyre. Presidenti i saporizgjedhur turk, Erdogan mund  të jetë kritik ndaj BE në samitin në Kishinar, megjithatë ai do t'i qëndrojë statusit të Turqisë së kandidate për anëtarësim. Kurse Britania e Madhe si vendi i vetëm ish-anëtar përpiqet të gjejë rolin e saj ndërkombëtar në Europë.

Pamje nga takimi themelues në Pragë, tetor 2022

Pamje nga takimi themelues në Pragë, tetor 2022Fotografi: Joe Klamar/AFP/Getty Images

"Pyetja 1 milionë dollarë"

Në orët e pakta të bisedimeve në Castel Mimi nuk priten zgjidhje për problemet e konfliktet akute, por ndoshta disa impulse. Por çfarë mund të bëjë më mirë Komuniteti Politik Europian, ose "klubi i debatimit", si e quajnë kritikët? "Kjo është pyetja 1 milionë dollarë", shprehet Amanda Paul nga Instituti "European Policy Centre" në Bruksel. "Po të pyesësh tek vendet anëtare, shpesh nuk gjen përgjigje." Për krerët e vendeve që nuk janë pjesë e BE, bëhet me gjasë fjalë për shkëmbime personale dhe adresim të problemeve. "Në Kishinau duhet të ketë më shumë substancë se në Pragë", thotë analistja Paul për Deutsche Wellen. "Një objektiv apo një udhërrëfyes i qartë, se çfarë do të arrihet në plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë me Komunitetin Politik Europian. Për çështjet e sigurisë ai është një platformë e mirë për të afruar vendet e BE me vendet jo anëtare."

Monument i Leninit në Transnistri

Monument i Leninit në TransnistriFotografi: 3BoxMedia

Takimi tjetër në Spanjë

Një vendim forumi me format të ekzagjeruar e ka marrë; Takimi i tretë i KPE do të jetë në Spanjë në tetor dhe i katërti në Britaninë e Madhe- Komuniteti Politik Europian nuk ka struktura të veta, por përdor ato të Sekretariatit të Këshillit të Europës në Bruksel. Që nga maji ka paraqitje të tij në twitter dhe facebook por ende jo një faqe interneti. Ideja e Macronit nuk është edhe aq e re. Që në vitin 1989 presidenti i atëhershëm, Francois Mitterand propozoi krijimin e një komuniteti si reagim pas kthesës politike në Europën Lindore. Por ideja e Mitterand u harrua, sepse ai donte të përfshinte edhe Rusinë, gjë që e refuzuan pa hezitim vendet lindore.



Të ndryshme
Më shumë