Sot është mbajtur Kuvendi i Rregullt Vjetor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Para delegatëve foli edhe numri një i futbollit vendor, Muamed Sejdini. Sipas tij, investimi në infrastrukturë mbetet shumë i rëndësishëm për Federatën, edhe pse deri në tani institucioni, të cilin ai drejton ka investuar në fusha në mbarë Maqedoninë.
Sejdini tha se e sheh si detyrim krijimin e kushteve maksimale për futbollistët e përfaqësueses dhe stafit teknik të të gjitha ekipeve kombëtare, me qëllim që pjesëmarrja në garat e mëdha të jetë një gjë normale dhe ne të bëhemi pjesëmarrës të rregullt në ato evente të rëndësishme futbollistike.
Më poshtë mund të lexoni në tërësi fjalimin e mbajtur nga numri një i futbollit vendor, Muhamed Sejdini në Kuvendin e Rregullt Vjetor,
“Në vitet e kaluara kemi arritur të realizojmë një numër të madh projektesh dhe dua të falënderoj të gjithë në familjen e futbollit që kontribuan. Ky ekip është sinonim i suksesit dhe shpresës.
Investimi në infrastrukturë mbetet i rëndësishëm për federatën. Deri më tani kemi investuar në fusha në mbarë Maqedoninë, por ajo që është e rëndësishme të theksohet është se në periudhën e ardhshme do të punojmë në përmirësimin e kushteve edhe në qendrën tonë stërvitore “Petar Milloshevski”.
Do të marrim vendimin më të mirë me Këshillin Drejtues dhe mendoj se në periudhën e ardhshme do të mund të flasim më konkretisht për këtë. Çështja nuk është vetëm të bëjmë fotografi, por të tregojmë hapat konkretë që bëjmë. Nëpërmjet një qasjeje strategjike dhe një projekti, infrastruktura e futbollit në të gjithë vendin përmirësohet, ne ndërtojmë dhe rregullojmë stadiume, tribuna të reja dhe ekzistuese.
Është detyrimi ynë që të krijojmë kushte maksimale për futbollistët tanë dhe stafin teknik të të gjitha ekipeve kombëtare. Të ndihen rehat në punën e tyre dhe të jenë gjithmonë më të mirët në fushë siç e tregojnë dhe e dëshmojnë vazhdimisht.
Vizioni ynë është që pjesëmarrja në garat e mëdha të jetë një gjë normale dhe ne të bëhemi pjesëmarrës të rregullt në ato. Suksesi vendos standarde të reja pune dhe profesionalizmi është motivimi kryesor për gjeneratat e reja.
Suksesi është i natyrshëm dhe një detyrim për të punuar shumë dhe për tu përmirësuar vazhdimisht, nga kategoritë më të vogla, futbolli shkollor, ligat për fëmijë dhe akademitë deri në përzgjedhjet kombëtare.
Ne nuk jetojmë me sukseset e të kaluarës, kemi një plan dhe një program dhe po ecim hap pas hapi.
Programi ynë i punës është hartuar në mënyrë cilësore dhe ndjek federatën për sa i përket synimeve dhe asaj që duhet dhe mund të bëhet. Në këtë drejtim, ne kemi mbështetje dhe ndihmë të madhe nga UEFA dhe FIFA, për të cilat jemi jashtëzakonisht mirënjohës.
Ne nuk ikim nga sfidat që na presin, përkundrazi jemi gati dhe presim sfida të reja. Të gjitha në drejtim të të qenit krenarë për përfaqësuesen, krenarë për përfaqësueset e reja, krenarë për klubet tona” – tha Muhamed Sejdini.