Autoritetet amerikane njoftuan se një meteorit goditi një shtëpi në Hopewell Township të New Jersey dhe shkaktoi dëme në çatinë dhe dyshemenë e dhomës.
Gjatë incidentit nuk ka pasur të lënduar apo viktima, raporton rrjeti kabllor amerikan, cnn.
“Një meteorit depërtoi në çati dhe ra në dhomën e gjumit të babait tim. Fatmirësisht në atë moment nuk ishte askush në shtëpi. Kur gjeta objektin mendova se ishte gur. Por, kur e mora në duar, vura re se ishte ende i ngrohtë”, tha Suzie Kopp, vajza e pronarit të shtëpisë.
Policia është ende duke punuar për të përcaktuar natyrën e saktë të objektit, megjithëse zyrtarët dyshojnë se ka lidhje me shiun aktual të meteorëve, të quajtur Eta Aquariids.
Shiu i meteorëve Eta Aquariid është një fenomen vjetor në të cilin mbeturinat nga kometa e famshme e Halley bien në atmosferën e Tokës.
Ngjarja qiellore pritej të arrinte kulmin të shtunën e kaluar, sipas parashikimeve të Shoqatës Amerikane të Meteorëve, megjithëse do të zgjasë deri më 27 maj.