TV LIVE
Nga Rajoni
2 May 2023
Kurti-Vuçiç takim sot në Bruksel për Asociacionin

Tema e diskutimit edhe çështja e të pagjeturve, ndërkombëtarët thirrje për progres

Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti Aleksandër Vuçiç zhvillojnë sot në Bruksel takimin e parë pas marrëveshjes së 18 Prillit që u mbajt në Ohër.  Në takim që pritet të zhvillohet në orët e mbrëmjes, sipas Komisonit Europain pritet të diskutohet për draft statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për çështjen e të pagjeturve.

Pritet të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës dhe kjo do të pasohet me paraqitjen dhe diskutimet rreth kuadrit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera të rëndësisë politike”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano.

Per Albin Kurtin, përgatitja për negociata është komplekse dhe e thjeshtë.

“Komplekse sepse ka një mori informatash dhe detajesh mes shumë gjërave të tjera, por e thjeshtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të thjeshta dhe fisnike”, ka shkruar Kurti në Tëitter.

Dje këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka bërë të ditur se e ka zhvilluar një bisedë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti një ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në Bruksel. Sipas Chollet, në këtë bisedë është diskutuar edhe për rëndësinë e implementimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në mënyrë të menjëhershme.

Ndërkohë që takimi zhvillohet në një klimë jo të qetë politike mes dy vendeve pasi pak ditë më parë Serbia kundërshtoi anëtarësimin në Këshillin e Europës se Kosovës duke votuar kundër aplikimit të saj megjithëse shumica e vendeve e miratuan kalimin e hallkës së parë të procesit.



Të ndryshme
Më shumë