TV LIVE
Nga Rajoni
17 February 2023
Krerët shtetërorë, homazhe pranë varrit të Rugovës

09:55 – Krerët shtetërorë, homazhe pranë varrit të Rugovës

Për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, krerët e shtetit të Kosovës por edhe presidenti i Shqipërisë, së bashku bënë homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca bashkë me presidentin shqiptar, Bajram Begaj, kanë vazhduar homazhet dhe nderimet edhe te varri i veprimtarit, Adem Demaçi.

Për shënimin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Qeveria e Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh.

Pas mbledhjes festive të Qeverisë, është bërë ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovë. Krerët shtetërorë bënë homazhe edhe te Monumenti i të Pagjeturve. Ndërsa, janë paraparë edhe homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, shkruan transmetuesi publik.

Po ashtu, për nder të 15 vjetorit të pavarësisë në sheshet e Prishtinës, do të parakalojnë ushtarët e Forcës të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

Gjatë pasdites, do të ketë edhe aktivitete të tjera.

08:34 – Bëhet ngritja solemne e Flamurit të Kosovës (FOTO)

Sapo është bërë ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovës, në 15-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.

Ngritja u bë para objektit të Qeverisë, në praninë e presidentes Vjosa Osmani, homologut të saj shqiptar, Bajram Begaj, kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca, njofton Klankosova.tv.

Krerët shtetërorë do të vendosin kurora lulesh te Monumenti i të Pagjeturve në sheshin “Ibrahim Rugova”.

Kurti: Kosova nuk është produkt i rastësisë, por i historisë së vet

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen festive të Qeverisë të mbajtur për nder të 17 shkurtit, tha se Pavarësia e Kosovës është arritur përmes luftës dhe sakrificës, dhe se pavarësia do të rritet vetëm përmes punës.

“Në këtë përvjetor të pavarësisë së Kosovës, detyra jonë kryesore është se kur të vije 20 vjetori të jenë jetuar që të rejat dhe të rinjtë mund të zgjedhin Kosovës për jetë”, tha Kurti.

Ai u shpreh se Kosova është shembull i demokracisë në Ballkan.

“Pavarësia jonë është si rezultat i historisë shekullore, ne e dimë mirë çka është bashkëjetesa”, deklaroi kryeministri.

I pari i qeverisë tha se duhet të ketë parasysh amanetin e gjeneratave që kanë dhënë gjakun e tyre për lirin e Kosovës dhe nuk e gëzojnë atë.

“Kosova nuk është produkt i rastësisë, por i historisë”.

Ky është fjalimi i tij i plotë:

Të nderuar zëvendëskryeministra Bislimi, Gërvalla-Schwarz dhe Rexhepi,

Të nderuar ministre e ministra të pavarësisë sonë pesëmbëdhjetë vjeçare,

Të nderuar punonjës të kryeministrisë,

Të nderuara medie,

Të dashur qytetarë,

Mirëmëngjesi e mirëseerdhët në këtë mbledhje të Qeverisë e cila është e veçantë, sepse shënon hapjen e kësaj dite festive. Simbolikisht kemi zgjedhur të hapim këtë ditë jo me ceremoni, por me mbledhje, sepse dëshirojmë të përcjellim mesazhin se puna e festa për Republikën tonë duhet të shkojnë gjithmonë bashkë. Pavarësia jonë u arrit përmes luftës dhe sakrificës, por pavarësia jonë do të rritet vetëm përmes punës. Jo përmes rrugëve të shkurtra që premtohen nga njerëz joseriozë, por vetëm përmes punës dhe sakrificës, e cila i karakterizon njerëzit e mirë të Kosovës, gratë e burrat që punojnë përditë për veten e tyre, për familjet e tyre, për shoqërinë tonë, për ekonominë tonë. Ata punojnë këtu, por shpesh punojnë edhe jashtë vendit, ku kushtet janë më të mira dhe shpërblehen për punën e tyre. E në këtë festë të pesëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë, duhet t’ia përkujtojmë vetes e njëri-tjetrit se detyra jonë kryesore është që, kur të vijë njëzet vjetori, të jenë shtuar e shumëfishuar arsyet që të rejat e të rinjtë tanë të mund të zgjedhin edhe Kosovën për një të ardhme profesionale të plotë e për një jetë të mirë.

Të dashur qytetarë, që po na ndiqni përmes mjeteve të komunikimit publik, kjo është festa juaj. Kosova është një shembull i demokracisë në këtë rajon problematik si Ballkani, vetëm si meritë e juaja. Jeni ju ata që nuk keni lejuar dhe nuk do të lejoni që në Kosovë të mbetet i padënuar abuzimi me pushtetin. Prandaj jeni ju që e meritoni urimin dhe njëkohësisht falënderimin më të përzemërt për 15 vjetorin e kësaj demokracie. Nëse në vendet e tjera institucionet japin model, dhe qytetarët përpiqen ta ndjekin atë model, te Kosova jonë modelin e japin qytetarët, dhe ne institucionet jemi ato që duhet të bëjmë përpjekje për të ecur pas tyre.

Pavarësia jonë është rezultat i historisë shekullore të Kosovës, si vend ku gjithmonë kanë jetuar krah për krah me shumicën shqiptare dhe në bashkëpunim me të, komunitete të feve dhe gjuhëve të ndryshme.

Ne e dimë mirë ç’është bashkëjetesa, madje kemi histori të gjatë bashkëjetese të suksesshme – të cilën e kanë dëmtuar vetëm ata që dëshirojnë të dominojnë, të sundojnë, t’i mbivendosen vullnetit të shumicës për pavarësi. Sot në këtë pesëmbëdhjetë vjetor të pavarësisë është vendi të mburremi me diçka që Kosova e bën shumë mirë – dhe e kemi fjalën për të drejtat që u japim pakicave etnike. Askund në Evropë minoritetet nuk gëzojnë të drejta në çdo nivel, si këtu te ne. Na përket neve të kujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet, me formula eksperimentuese të cilat kudo që janë provuar nuk kanë sjellë rezultate të mira.

Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar,

Në këtë festë të pavarësisë nuk më takon të jem i ashpër me juve. Ka boll ditë të tjera të vitit, kur do të mund të zhvillojmë aktivitetin tonë të përditshëm që përfshin edhe punën edhe nxitjen, edhe kritikën edhe vetëkritikën, natyrisht edhe mbajtjen e përgjegjësisë, sepse të qenit anëtar i një qeverie do të thotë mbi të gjithat, marrjen përsipër të përgjegjësive. Meritat, siç e thashë më parë, në radhë të parë i përkasin qytetarëve tanë, punëtorëve, studentëve, biznesmenëve, njerëzve të zanateve të ndryshme, të kulturës, të sportit, të cilët me kontributin e tyre të përditshëm e bëjnë Kosovën kjo që është, një vend në përmirësim të vazhdueshëm.

Te përgjegjësitë tona duhen dalluar dy sosh. E para, të kemi parasysh gjithnjë trashëgiminë tonë, amanetet e gjeneratave që kanë dhënë gjakun e djersën për lirinë e Kosovës edhe pse nuk kanë arritur ta shijojnë atë. Çdo ditë e jona, të nderuar ministra, zëvendëskryeministra, duhet të nisë me përkujtimin e këtij amaneti. Ky amanet është i paneglizhueshëm, sepse nuk erdhëm ne këtu nga zeroja, Kosova nuk është produkt i rastësisë, por i historisë së vet. Shekuj dhimbjesh, që sot të kemi këtë gëzim.

E dyta, duhet të kemi gjithnjë parasysh të rinjtë, fëmijët e edhe ata të cilët nuk kanë lindur ende, e të cilëve ne duhet t’u lëmë patjetër një Kosovë më të mirë se sa ajo që e kemi gjetur. Mjedisin duhet t’ua lëmë më të pastër e më të gjelbër nga ai që gjetëm, ekonominë më të pasur e më të drejtë, drejtësinë më funksionale, infrastrukturën më moderne, shëndetësinë më të pajisur dhe arsimin më të fortë. Një Kosovë ku udhëheq ligji, e jo njeriu, një Kosovë me rend për qytetarët e me ndëshkim për kriminelët. Këto ishin ambiciet tona në fillim, por këto duhet të jenë ambiciet tona përditë.

Nuk dëshiroj ta zgjas shumë sot, sepse na pret një ditë e gjatë, plot ceremoni e festa, patjetër edhe fjalime. Dëshiroj ta përmbyll këtë fjalë timen me tre citime nga tre personalitete të historisë sonë:

Shotë Galica thoshte “Një jetë pa dije është si një luftë pa armë”. Detyra juaj është që Kosovën të mos e lini pa njërën e as pa tjetrën.

Tringë Smajli thoshte “Mos ia drejtoni armët njëri-tjetrit, por vetëm armikut të përbashkët”. Mbajeni parasysh këtë përditë, që të mos e ngatërrojmë debatin tonë të brendshëm e demokratik, me polarizimet e përçarjet armiqësore me njëri-tjetrin.

E së fundmi, mos e harroni që Nëna Terezë thoshte “Paqja fillon me një buzëqeshje”. Le të jemi ne ata që buzëqeshim, e që mbajmë të hapur derën e bashkëbisedimit. Kosova është projekt i paqes, kontribuese në paqe, dhe garanci për paqe. Në këtë kohë kur lufta e preku kontinentin tonë, Kosova e cila sot feston pesëmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë, e ka treguar se pa asnjë interes vetjak, i mbështet vendet që dëshirojnë paqe e liri përkundër pushtuesve. Kjo gjithashtu duhet të na bëjë krenarë të gjithëve e secilit.

Edhe një herë të nderuar kolegë: Gëzuar festën e Pavarësisë së Kosovës! I falënderohemi të gjithë atyre që kanë kontribuar për çlirimin e vendit e për shpalljen e pavarësisë.

Republikë për pesëmbëdhjetë vjet, Republikë Përjetë!

Ju faleminderit.



Të ndryshme
Më shumë