TV LIVE
Nga Bota
6 February 2023
Liderët botërorë shprehin ngushëllimet dhe ofrojnë ndihmë Turqisë

Mesazhet e ngushëllimit dhe të mbështetjes ishin të shumta teksa liderët botërorë u zgjuan me lajmin e tërmetit vdekjeprurës që goditi Turqinë dhe Sirinë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu ngushëllimet e tij për viktimat në Twitter dhe ofroi ndihmë.

“Ne jemi me popullin e Turqisë në këtë kohë të vështirë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme për të kapërcyer pasojat e fatkeqësisë,” tha Zelensky.

Në një mesazh po ashtu në Twitter, kryeministri indian Narendra Modi tha se ishte “i shqetësuar nga numri i viktimave dhe dëmtimi i pronës” nga tërmeti.

“India është në solidaritet me popullin e Turqisë dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën e mundshme për të përballuar këtë tragjedi,” tha ai.

Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif u dërgoi ngushëllimet e tij njerëzve si në Turqi ashtu edhe në Siri në një sërë postimesh në Twitter. Numri total i të vdekurve në të dy vendet pas tërmetit është më shumë se 500.

Presidenti i Izraelit Isaac Herzog shkroi në Twitter: “Shteti i Izraelit është gjithmonë i gatshëm të ndihmojë në çdo mënyrë të mundshme. Zemrat tona janë me familjet e pikëlluara dhe popullin turk në këtë moment të dhimbshëm.”

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se Shtetet e Bashkuara ishin “thellësisht të shqetësuara” për shkatërrimin në Siri dhe Turqi. “Kam qenë në kontakt me zyrtarët turq për t’i ofruar ndihmën tonë. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën në koordinim me Turqinë”, shkroi Sullivan në Tëitter.

Misioni diplomatik amerikan në Turqi shprehu gjithashtu “dhimbje të thellë për viktimat dhe dëmet e mëdha të shkaktuara nga tërmeti”.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme Josep Borell gjithashtu ka reaguar për këtë tragjedi duke shprehur mbështetjen dhe solidaritetin me popullin e goditur nga tërmeti.



Të ndryshme
Më shumë