TV LIVE
Nga Rajoni
5 March 2022
A do rritet çmimi i biletave ajrore? – Eurocontrol: Lufta rriti me 13% karburantet e avionëve brenda 4 ditësh, ja trafiku për Shqipërinë!

Çmimet e karburantit të avionëve u rritën me 13%, brenda 4 ditësh si pasojë e luftës Rusi-Ukrainë. Të dhënat raportohen nga Eurocontrol, që gjithashtu thekson se çmimi mesatar është 30% më i lartë, në raport me shkurtin e vitit 2019 dhe 65% më i shtrenjtë, në krahasim me muajin shkurt të 2020-ës.

Rritja e çmimeve vjen në një kohë, që industria e aviacionit, si një nga më të goditurat nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19 po rimëkëmbej, si pasojë e heqjes së kufizimeve të lëvizjes nga shumë shtete. Ndërkohë që, rritja e kostove të operimit, me gjasë do të detyrojë kompanitë ajrore të transferojnë këtë kosto te pasagjerët, duke rritur çmimin e biletave.

Paralelisht, shumë prej kompanive ajrore janë prekur nga masat për mbylljen e hapësirës ajrore me Ukrainën, çka ka bërë që për mbërritjen në disa destinacione, të shtohen ndjeshëm distancat e fluturimit e për pasojë edhe kostot e udhëtimit. Ndërkaq,  Eurocontrol ka publikuar edhe të dhënat e trafikut ajror në javën e fundit, në raport me të njëjtën javë të vitit 2019, ku normalisht për Ukrainën rezulton në -100%.

Impakti është shtrirë edhe në Moldavinë fqinje, që rezultin me -88% të trafikur ajror, në raport me të njëjtën periudhë të 2019-ës. Ndërkaq, ajo që bie në sy është fakti se nga të gjithë shtetet anëtare të Eurocontrol, vetëm Shqipëria ka shënuar një rritje me 18% të trafikut. Por, kjo rritje positive në drejtim të rigjallërimit të sektorit është pasuar nga një ndikim negativ në drejtim të emetimit të dioksidit të karbonit gjatë janarit të 2022-it, në raport me janarin e vitit 2019, ku sipas Eurocontrol emetimi I CO2 nga nisja e avionëve u rrit me 33.7%.



Të ndryshme
Më shumë