TV LIVE
Nga Bota
28 February 2022
Putin edhe një herë e cilësoi perëndimin si “perandori e gënjeshtrave

Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin edhe njëherë e quajti Perëndimin si “Perandori e Gënjeshtrave”. Këtë deklaratë Putin e bëri ndërsa po diskutonte mbi ekonominë ruse me zyrtarë të lartë të vendit pas vendosjes së sanksioneve nga perëndimi kundër Moskës.

“Mishustin dhe unë diskutuam këtë temë, natyrisht duke pasur parasysh sanksionet që i ashtuquajturi komunitet perëndimor – siç e quajta në fjalimin tim, ‘perandoria e gënjeshtrës’ – tani po përpiqet të vërë në zbatim kundër vendit tonë”, tha Vlladimir Putin, President i Rusisë.

Putin të njëjtën shprehje e kishte përdorur ndaj Perëndimit më 24 shkurt, pikërisht ditën kur nisi pushtimin e Ukrainës. Putin gjatë fjalimit bëri një lidhje të qartë mes sanksioneve të forta dhe vendimit të tij të së dielës për ti vënë në gjendje gatishmërie të lartë forcat bërthamore.

Deklaratat e tilla të Moskës shtuan shqetësimin te vendet e Perëndimit. NATO-ja por edhe shtete të shumta njoftuan se do ta ndihmojnë Ukrainën me armë, ndihmë humanitare dhe financiare.

Por zëdhënësi i Kremlinit kërcënoi Perëndimin për “pasoja të rrezikshme” nga dërgimi i armëve në Ukrainë.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ndërkaq votoi për mbajtjen e një sesioni të posaçëm urgjent të Asamblesë së Përgjithshme për të diskutuar pushtimin rus të Ukrainës. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka shtuar shkeljet e të drejtave të njeriut. Guterres tha se OKB-ja ka ekipe në terren për të monitoruar situatën.

“Përshkallëzimi i operacioneve ushtarake nga Federata Ruse në Ukrainë po çon në përshkallëzimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut”, u shpreh Antonio Guterres, sekretar i përgjithshëm i OKB-së.

Shtetet perëndimore shpresojnë që sa më shumë nga 193 vendet anëtare të OKB-së ta dënojnë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe të bëjnë me këtë të dukshme izolimin rus në shkallë ndërkombëtare



Të ndryshme
Më shumë