TV LIVE
Nga Bota
14 February 2022
“Ukraina mund të heqë dorë nga aplikimi për anëtarësim në NATO”

Ukraina mund të heqë dorë nga aplikimi për t’u bashkuar me NATO-n për të shmangur luftën me Rusinë.

Kështu së paku raportojnë mediat e huaja të ketë thënë ambasadori i këtij vendi në Britani të Madhe, Vadym Prystaiko.

Sipas Reuters, ambasadori Prystaiko i tha BBC-së se Ukraina ishte e gatshme të ishte “fleksibile” lidhur me qëllimin e saj për t’u bashkuar me aleancën ushtarake Atlantike, një lëvizje që presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se do të ishte një shkas për luftë.

“Ne mund të kërcënohemi, veçanërisht të shantazhohemi nga kjo dhe të shtyhemi në atë drejtim”, u citua të thoshte Prystaiko kur u pyet nëse Kievi mund të ndryshonte pozicionin e tij për anëtarësimin në NATO.

Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por ka një premtim që nga viti 2008 se do t’i jepet mundësia për t’u anëtarësuar, një hap që do ta çonte aleancën e udhëhequr nga SHBA në kufirin e Rusisë.

Ndryshe, Rusia ka zhvendosur më shumë se 100,000 trupa dhe armë të rënda në distancën goditëse të Ukrainës në javët e fundit, duke bërë që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s të paralajmërojnë se një pushtim mund të jetë i afërt.

Megjithatë, Moska mohon se po planifikon një sulm, duke i quajtur ato manovra ushtarake, por ka lëshuar kërkesa me shkrim që NATO të heqë dorë nga çdo zgjerim i mëtejshëm drejt lindjes, përfshirë Ukrainën.

Përkundër kësaj, anëtarët e NATO-s e kanë refuzuar kërkesën.

Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Joe Biden foli me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskiy të dielën dhe ra dakord të vazhdojë përpjekjet diplomatike në përpjekje për të zgjidhur krizën, tha Shtëpia e Bardhë.



Të ndryshme
Më shumë