Renova e ka nisur në mënyrën më të mirë gjysmësezonin pranveror, pasi mundi Bregallnicën në transfertë me rezultatin 2:1, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 19-të në elitë. Zhbllokimi i rezultatit erdhi në minutën e 16-të kur portieri Denkoski shënon në rrjetë të gabuar për epërsi 1:0 të Renovës.
Miqtë nuk u ndalën me kaq, pasi në minutën e 52-të me anë të Serafimovskit ngritën epërsinë në 2:0. 5 minuta para përfundimit të takimit vendasit u kthyen në lojë, me Damjanovskin që zbuti shifrat në 2:1. Deri në fund Bregallnica u mundua të vijë deri tek goli i barazimit, mirëpo gipspunuesit administruan mirë lojën, duke marrë 3 pikë nga kjo përballje. Ndërkaq xhiroja e 19-të në elitën e futbollit vendor kompletohet të dielën me 5 takime tjera të cilat do të luhen nga ora 14:00. Shkëndija luan me Struga Trim Lum, Shkupi pret në Çair Akademia Pandevin, Pelisteri do t’i mat forcat me Rabotniçkin, Makedonija Gjorçe Petrovi gostit Tikveshin, ndërsa Skopje përballet me Borecin.