TV LIVE
Nga Bota
12 February 2022
Biden-Putin bisedojnë sot mes tensioneve në rritje mbi Ukrainën

Presidenti amerikan Joe Biden dhe Presidenti rus Vladimir Putin pritet të zhvillojnë sot (e shtunë), një bisedë telefonike mes shqetësimeve në rritje për një pushtim të afër të Ukrainës nga Rusia.

Uashingtoni thotë se ka marrë njoftime nga agjencitë e zbulimit se pushtimi mund të ndodhë të mërkurën.

Ambasada amerikane në Kiev ka nisur evakuimin e personelit të saj. Krahas kësaj, Departamenti i Shtetit ka lëshuar udhëzime mbi udhëtimet, duke paralajmëruar amerikanët të mos shkojnë në Ukrainë, për shkak të kërcënimeve të shtuara ndërsa ka këshilluar shtetasit amerikanë që ndodhen në këtë vend të largohen menjëherë.

Disa diplomatë amerikanë pritet të zhvendosen në pjesën perëndimore të Ukrainës, një masë që do t'i lejonte SHBA-ve të ruanin një prani diplomatike në këtë vend.

Përpara se dy udhëheqësit të bisedojnë të shtunën, zoti Putin do të bisedojë me Presidentin francez Emmanuel Macron, me të cilin u takua në fillim të kësaj jave.

Po sot Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Sergey Lavrov.

Gjatë një konference shtypi në Fixhi përpara bisedës zoti Blinken tha se nëse zoti Putin vendos të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Ukrainës, Shtetet e Bashkuara do të vendosin menjëherë sanksione të ashpra ekonomike në koordinim me aleatët dhe partnerët anembanë globit.

"Ne do të forcojmë aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten, si dhe do përforcojmë aleatët tanë të krahut lindor”, tha ai.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare më Shtëpisë e Bardhë Jake Sullivan, tha të premten se pushtimi i Ukrainës nga Rusia mund të nisë gjatë Lojrave Olimpike që mbahen në Pekin ose kur ta vendosë zoti Putin.

Shumë analistë kanë thënë se Moska nuk ka gjasa të kryejë ndonjë pushtim përpara Lojërave Olimpike Dimërore që të përfundojnë më 20 shkurt.

Rusia ka dislokuar tashmë mjaftueshëm forca në kufi me Ukrainën për të kryer një operacion të madh ushtarak tha zoti Sullivan, i cili shtoi se Rusia mund të pushtojë pjesë të rëndësishme të territorit të këtij vendi, duke përfshirë kryeqytetin.

Të premten, Presidenti Biden zhvilloi një video-telefonatë me udhëheqës botërorë për të diskutuar rreth krizës mbi Ukrainën.



Të ndryshme
Më shumë