TV LIVE
Nga Rajoni
7 February 2022
Gjykata Kushtetuese mbyll seancën për Metën, brenda 30 ditësh jepet vendimi

Për herë të parë në historinë e saj në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, brenda 30 ditëve do të dalë me një vendim pro ose kundër shkarkimit të Ilir Metës, si President i Republikës së Shqipërisë.

“Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, pasi dëgjoi konkluzionet e të dyja palëve.

Seanca e 7 shkurtit nisi në orën 10:00 dhe me polemika mes palëve dhe jo vetëm. Përfaqësuesi ligjor i Metës, Bledar Dervishaj, ka debatuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese mbi mënyrën e kthimit të përgjigjeve drejtuar Presidentit.

Presidenti Meta edhe në këtë seancë nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga këshilltari i tij ligjor Bledar Dervishaj. Ndërkohë, nga Kuvendi në Kushtetuese u paraqiten kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Në një deklaratë për mediat jashtë dyerve të gjykatës Taulant Balla tha se tashmë si Presidenti Ilir Meta, si partitë politike e kushdo tjetër duhet të presë në heshtje vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Vendimet për rrëzime apo pranime i merr vetëm Gjykata Kushtetuese. Ne kemi detyrimin që nga ky monument, që është mbyllur procesi, të respektojmë pavarësinë e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se nga momenti i përfundimit të procesit, të gjithë ne kemi detyrimin, përfshirë Presidentin, partitë e kushdo tjetër, të ruajmë heshtjen institucionale, derisa Gjykata Kushtetuese, brenda afatit 30-ditor, të shprehet, me gjithë arsyetimin. Procesi ka qenë për t’u përshëndetur. Mendoj se çdo deklaratë e imja apo e palëve të tjera të përfshira në proces nuk do i bënte mirë procesit”, tha Balla.

Ndërsa menjëherë pas tij, Bledar Dervishaj u tha gazetarëve se Presidenti, Ilir Meta do t’i drejtohet prokurorisë, për çështjen e manipulimit të provave nga ana e Kuvendit të Shqipërisë.

E megjithatë mazhoranca është e bindur se Presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke u bërë pjesë e zgjedhjeve të 25 prillit dhe, duke shkuar më tej: nxitja e dhunës.

Përfaqësuesit ligjor të Presidentit u mbrojtën duke kundërshtuar të gjithë procedurën që ishte ndjekur nga parlamenti i kaluar për ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës.

Ata mendojnë se institucionit të Presidentit iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në Parlament para se të merrej vendimi për ngritjen e komisionit hetimor dhe se ky komision i ngrit në shkelje të afateve ligjore.



Të ndryshme
Më shumë