TV LIVE
Nga Rajoni
5 February 2022
Shqipëri-SHBA, bashkëhartuese në OKB për konfliktin Ukrainë-Rusi

Shqipëria do të jetë bashkëhartuese në qëndrime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, lidhur me tensionet Ukrainë-Rusi. Në krah të Ministres së Jashtme Olta Xhaçka, Kryeministri Rama tha se ky konfirmim i Departamentit Amerikan të Shtetit është rritje e besimit për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

“Është kurorëzim i një përpjekje në vazhdën e mundimit për të bërë që Shqipëria të qëndrojë në një nivel krejt tjetër në marrëdhëniet ndërkombëtare. Jo një vend që qëndron si një vrimë e fundit e kavallit apo një pikë e fundit e bishtit dhe që vetëm tund kokën ën shenjë aprovimi apo bën edhe më keq se kaq siç ka ndodhur në të shkuarën”, tha Rama.

Rroli aktiv që i jepet Shqipërisë sipas shefes së diplomacisë shqiptare Olta Xhaçka e bën vendin tonë përgjegjës në bashkautorësinë e çështjeve të paqes dhe sigurisë.

“Vendi ynë merr një rol të dorës së parë në çështje të sigurisë përmes bashkëhartimit me SHBA për çështjen e Ukrainës. Vendet tona do bashkëpunojnë ngushtë, do ndajnë informacion në mënyrë prioritare dhe do jenë në origjinë të çdo nisje me këtë nismë. Projekti i parë do hartohet nga dy vendet tona dhe më pas do ndahet me të tjerë. Bashkëhartuesit janë të parët që flasin për çështjen në fjalë në takimet e Këshillit të Sigurimit.”

Për herë të parë Kryeministri foli edhe për letrën e  Ambasadës Ruse dërguar qeverisë shqiptare.

“Ajo letër i drejtohet të gjithë vendeve anëtare të NATO-s dhe OSBE. Asnjë qeveri nuk është marrë me atë letër publikisht. Çdo qeveri e ka marrë e ka lexuar, po e lexon ndërkohë që qëndrimet tona janë të qarta, janë të drejta dhe nuk kemi asnjë problem në marrëdhëniet tona bilaterale me Rusinë, Rusia nuk është vend armik i Shqipërisë, por kemi ndarje të qartë në këtë pikë dhe gjithë zhurma për letrën është pjesë e një zhurme folklorike në katundin e PD. Nuk ka lidhje fare me ne dhe me qeverinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Është zhurmë mes të marrë që kanë marrë peng qytetarët”.

Rama nuk pranoi të komentojë nëse qeveria shqiptare ka marrë një kërkesë nga NATO për të dërguar trupa në Ukrainë, por tha se zgjidhja e vetme në  këtë përballje “elefantësh” është dialogu.

“Nuk bëj koment, por Shqipëria  është e qartë në pozicionin e vet, për modestinë e peshës që ka në këtë përballje elefantësh, ku ne ruajmë të drejtën të themi bisedime, bisedime, bisedime. Është konflikt goxha i rrezikshëm me potencial të lartë.”

Kryeministri nuk mohoi që ngritja e shtabit të forcave operacionale speciale amerikane në Shqipëri të ketë lidhje edhe konfliktin në Ukrainë, teksa tha se kjo forcë ka në fokus të saj sigurinë.

“Në këtë botë të gjitha kanë lidhje, me siguri që edhe kjo mund të këtë lidhje.”



Të ndryshme
Më shumë