TV LIVE
Nga Bota
25 January 2022
Rusia shton Navalyn në listën e “terroristëve”

Rusia ka shtuar kritikun e burgosur të Kremlinit, Aleksei Navalny dhe disa aleatë të tij, në listën e “terroristëve dhe ekstremistëve”.

Autoritetet ruse kanë shtuar Navalnyn dhe pesë bashkëpunëtorët e tij, Lyubov Sobol, Vyacheslav Gimadi, Georgy Alburov, Lilia Chanysheva, dhe Ruslan Shaveddinov më 25 janar, duke i vendosur në nivelin e njëjtë me grupet nacionaliste të krahut të djathtë dhe organizata të huaja terroriste sikurse talibanët dhe i ashtuquajturi, Shteti Islamik.

Sipas ligjit rus, llogaritë bankare të këtyre individëve të shtuar në listë duhet të bllokohen menjëherë.

Më pak se dy javë më parë, dy bashkëpunëtorë të ngushtë të Navalnyt, Leonid Volkov dhe Ivan Zhdanov, janë shtuar po ashtu në listë.

Vitin e kaluar, Gjykata e Qytetit të Moskës ka shpallur si ekstremiste të gjitha organizatat e lidhura me Navalnyn, duke ua pamundësuar personave të lidhur me Navalnyn dhe rrjetin e tij në Rusi, që të konkurrojnë për zyrë publike.

Ky vendim parasheh edhe burgim për aktivistët që kanë punuar me organizatat e Navalnyt.

Vetë Navalny është burgosur prej shkurtit të vitit 2021.

Ai është arrestuar pasi është kthyer në Rusi nga Gjermania, ku është trajtuar për helmimin gati fatal me agjent nervor, Noviçok.

Navalny beson se helmimi është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Kremlini mohon të ketë pasur rol në këtë rast.



Të ndryshme
Më shumë