Disa banorë të qytetit Futaba, qyteti i vetëm i pabanuar në Japoni që ende po shërohet nga efektet e rrezatimit nga shkrirja e centraleve bërthamore në vitin 2011, janë rikthyer të jetojnë për herë të parë që nga tërmeti masiv dhe cunami që i detyroi ata të largoheshin.
Shumicën e zonave të tjera, autoritetet i kanë shpallur të sigurta dhe i kanë rihapur ato pas përpjekjeve të shumta për dekontaminim gjatë dekadës së fundit. Në Futuba, vetëm 15 nga 7 mijë banorët që jetonin atje përpara se ta godiste tragjedia, shprehën dëshirën e tyre për t’u kthyer këtë javë, për të provuar nëse mund të jetojnë aty.
Një rihapje e plotë e qytetit në bregun verilindor të Japonisë është caktuar për në qershor.
“Është hera e parë në 10 vjet e 10 muaj që kam parë të dalë ujë i rrjedhshëm”, tha Yuji Onuma për televizionin NHK.
Ai tha se mezi pret të gatujë petë të skuqura dhe të hajë së bashku me familjen e tij, kur ata të fillojnë jetën e tyre së bashku në këtë qytet më vonë këtë muaj. Ai ishte atje vetëm për pak kohë të premten, bashkë me disa persona të tjerë, të cilët vitet e fundit kanë pastruar gradualisht shtëpitë e tyre.
Yoichi Yatsuta, një tjetër i kthyer, shpreson që zyrtarët e qytetit do të vazhdojnë rindërtimin për të rikthyer jetën sa më shumë që të jetë e mundur për t’i inkurajuar të rinjtë të kthehen.
Qyteti i tyre u godit më rëndë kur centrali bërthamor, Fukushima Daiichi, u shkri pas tërmetit me magnitudë 9.0, që shkaktoi valë cunami në bregdet, duke vrarë rreth 18 mijë njerëz, në mesin e tyre edhe më shumë se 50 qytetarë të qytetit Futaba.
Shumica e popullsisë u detyra të evakuohet në një qytet tjetër në prefekturën e Fukushimës, për shkak të rrezatimit dhe kontaminimit të zonës, e cila atëherë ka qenë kryesisht shkretë.
Pas zhvendosjes, shumë banorë të këtij qyteti, kanë gjetur punë në qytete tjera dhe thonë se nuk kanë interesim të kthehen.
Aktualisht, në këtë qytet, nuk ka shërbime mjekësore apo dyqane të mjaftueshme. Banorët duhet të dalin jashtë qytetit për ushqime dhe nevoja të tjera të përditshme.
Më 11 mars të vitit 2011, tre reaktorët në centralin bërthamor të Fukushimës në Japoni u dëmtuan, që çoi në aksidentin e dytë më të madh bërthamor në histori.
Cunami që goditi centralin bërthamor shkaktoi rrjedhje radioaktive. Si pasojë e kësaj katastrofe, më shumë se 470.000 persona u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe afro 18.500 njerëz kanë vdekur ose janë zhdukur nga cunami.